Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka deklaruar se ka mbetur i befasuar kur në ndeshjen e Kupës së Botës mes Zvicrës dhe Serbisë ka parë trajnerin e Serbisë, Dragan Stojkoviq duke ofenduar shqiptarët, shkruan FrontOnline.
“Nuk e prisja një legjendë si “Pixie” të ofendonte nënat tona shqiptare. Ai ishte një legjendë e futbollit në kohën e ish-Jugosllavisë, ne bënim tifo për të derisa jetonim në një shtet të përbashkët”, tha fillimisht Ademi për “Danas”, duke vazhduar:
“Shumë shqiptarë nga Kosova e donin atë si futbollist dhe befasohem se si ai u soll kështu në një ndeshje që s’ishte ndaj Kosovës, por ndaj Zvicrës. Të tilla gjëra nuk duhet të bëhen as nga tifozët, e lëre më nga ndonjë zyrtar i ndeshjes”.
FFK-ja e ka denoncuar në FIFA sjelljen e pahijshme të përzgjedhësit serb, teksa Ademi tregon se nuk dëshiron të paragjykojë se cili do të jetë vendimi i shtëpisë më të madhe të futbollit botëror.
“FIFA dhe UEFA nuk e tolerojnë nacionalizmin dhe përhapjen e intolerancës kombëtare, por tani u takon atyre se çfarë vendimi do ta marrin. Kjo na befasoi në mënyrë të pakëndshme, por edhe flamuri i Kosovës me ngjyrat e Serbisë në zhveshtore. Kjo nuk u shkon përshtati futbollistëve serb. Çështjet politike duhet t’ua lëmë politikanëve t’i zgjidhin”, tregoi ai.
Tutje, Ademi thotë se Kosova dhe Serbia duhet të luajnë një ndeshje miqësore për të treguar se “sporti i bashkon njerëzit”.
“Sporti duhet t’i bashkojë njerëzit, jo të krijojë tensione kombëtare dhe të përhapë urrejtje. Futbollistët e Kosovës dhe Serbisë duhet të luajnë një ndeshje miqësore dhe të tregojnë se futbolli dhe sporti i bashkon njerëzit, dhe jo t’i ndajë”, theksoi i pari i FFK-së.