Lideri i LDK-së njofton se nga e mërkura do të nis katër takimet e para.
“Javën e shkuar kam shpalosur idenë e nisjes së artikulimit të një mendimi të përbashkët shoqëror, si rrugë e re e Republikës së Kosovës, përballë politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historik të saj – dhe së këndejmi, rrezikimit të shtyllave qenësore të sovranitetit dhe vet shtetësisë sonë.
Kam ftuar për angazhim të përbashkët të shoqërisë sonë, atyre që besojnë në Republikën e Kosovës dhe rrugëtimin e saj euroatlantik, në artikulimin e qartë të kësaj rruge. Kam ftuar në angazhim mbipartiak e përtejpartiak si thirrje e fundit ndaj zhvillimeve të kohës.
Jam i lumtur me reagimin e parë publik ndaj vet iniciativës. Jam i lumtur me mbështetjen e gjerë të dhënë nga vet akterët për këtë qëllim. Jam i bindur se shoqëria kosovare ka masën kritike të domosdoshme brenda saj, për të bërë gjënë e duhur në momentin e duhur. Dhe ky është momenti i duhur.
Nga e mërkurja, do të organizojmë katër takimeve të para; dhe atë me:
I. Opinionistë e gazetarë;
II. Organizata të shoqërisë civile;
III. Profesorë universitarë e ish diplomatë; dhe
IV. Biznese nga sektori privat në vend.
Në të katër takimet e para, do të shtrojmë jo vetëm nevojën e ndërtimit të një mendimi e rrugëtimi të përbashkët euro-atlantik, por dhe propozimet tona për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese. Këto propozime do të përmbajtësohen nga vet pjesëmarrësit; e rruga e re e Republikës, do të lindë natyrshëm nga angazhimi gjithëshoqëror.
Kosova mundet më mirë.
Kosova meriton më shumë” shkruan Abdixhiku në njoftim