Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka përgëzuar Lutfi Hazirin për mandatin e ri në LDK-në e Gjilanit.
Ai përmes një postimi në Facebook tha se ishin 3 mijë e 100 pjesëmarrës në zgjedhjet e brendshme në Gjilan dhe siç shkroi ai, 44 për qind të të zgjedhurave gra.
Abdixhiku, zgjedhjet në LDK i ka cilësuar si një standard të ri në vend, përcjell Gazeta Papirus.
“3100 pjesëmarrës në zgjedhjet e brendshme në Gjilan. Luta, i zgjedhur edhe për një mandat. 44% të të zgjedhurave gra. Dhe një degë tjetër shembull. Zgjedhjet në LDK, përveç se mobilizim i jashtëzakonshëm dhe standard i ri në vend”, ka shkruar ai.
E pas marrjes së këtij mandati, Lutfi Haziri i ka falënderuar të gjithë për besimin, duke premtuar shumë punë.
“Ju faleminderit të gjithëve për besimin e dhënë, burrave e grave, të rinjve e të rejave, veprimtarëve e aktivistëve, familjeve të dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të luftës së UÇK-së, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj meje dhe LDK-së”.
“Do të punojmë edhe më fort që zotimet tona politike e programore t’i bëjmë detyra të përditshme në këtë pjesë të Kosovës dhe kudo që jemi bashkë në punë. Synim yni është që rreshtin e gjatë të bashkëpunëtorëve e bashkëveprimtarëve, ta shtojmë e të mobilizohemi edhe më shumë. Përveç ruajtjes së lirisë, pavarësisë e demokracisë së Kosovës, LDK i ka po aq të barasvlefshme marrëdhëniet speciale dhe të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haziri.