Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku do të mbledh sot pasdite kryesinë e partisë së tij.
Sipas informatave të siguruara, gjatë ditës pritet që LDK-ja të vendosë për ftesën e Kurtit për t’u konsultuar për formimin e institucioneve, pas certifikimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Periskopi merr vesh se mbledhja është thirrur për në ora 16:00.
Vetëvendosje ka ftuar vetëm LDK-në.
“Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç e dini edhe presidentja e ka caktuar mbledhjen e parë të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datë 15 prill 2025. Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, thuhet në letrën e Albin Kurtit./Periskopi