Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, gjatë një takimi me gratë në Gjilan, ka lexuar një fjalim të veçantë të shkruar nga bashkëshortja e tij, Albina Abdixhiku. Me tone ironie dhe një mesazhe të forta mbi rolin e grave në shoqëri, Abdixhiku lexoi letrën që ngjalli të qeshura por edhe brohoritje.
“Të gjithë këto takime, rrugëtime, debate me burra që mendojnë se dinë gjithçka, thashë: kush është më e zonja sot të ma shkruajë një fjalim? Thashë: po e lë në dorë të Albinës të ma shkruajë një fjalim. Kështu bëra sepse në këtë shtëpinë tonë, si në çdo shtëpi tjetër shqiptare, burrat bëhen sikur po vendosin, por gratë vendosin në fund të ditës. E kam marrë fjalimin prej saj dhe po e lexoj siç më është shkruar, sepse në krye të fjalimit është një titull që thotë: “Nëse e ndryshon veç një fjalë, mos u kthe në shtëpi.” – tha kreu i LDK-së.
Ai më tej lexoi idenë e një ligji nga bashkëshortja që ndalon burrat të ankohen për lodhjen e tyre në punë para grave.
“Ky është një moment historik për gratë. Është momenti kur gratë duhet t’i marrin gjërat nën kontroll sërish. Burrat janë një projekt ende në zhvillim e sipër dhe gratë përpiqen ta përmirësojnë atë projekt çdo ditë. Burrat janë si një eksperiment që ende nuk ka arritur versionin final. Disa prej tyre janë ende në fazën e testimit të tij, të tjerët janë ende në vitet ’90, por gratë janë versioni më i avancuar.
Do të krijojmë një ligj që ndalon burrat të thonë “u lodha sot në punë” para grave. Përderisa gratë kanë përgatitur ushqimin, kanë rritur fëmijët, kanë mbajtur gjithë shtëpinë – do të ndalohet të thonë “u lodha” para gruas. Dhe përfundimisht do të vendosim një sistem të ri në qeveri, ku gratë vendosin për fatin e tyre, për fatin e Republikës, dhe burrat ndjekin urdhrat e tyre. Sepse, sinqerisht, burrat kanë provuar për vite me radhë – Kosova bëhet e mundur vetëm nëse gratë vendosin për të.” – tha ai.