Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër qeverinë e kryeministrit Albin Kurti për qasjen e saj ndaj aleatëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kandidati për kryeministër i kësaj partie “druan” se mund të jetë “tepër vonë për të rikuperuar çfarëdo që është bërë deri më tani.” Ai e konsideroi si tepër të rëndësishme që sa më shpejt “të kthehet vëmendja amerikane në çështjen e Kosovës.”
Sipas Abdixhikut, qeveria aktuale po e vendos Kosovën në një pozitë të rrezikshme, duke dëmtuar marrëdhëniet strategjike me aleatin më të rëndësishëm të vendit. Ai theksoi rëndësinë historike të mbështetjes bipartizane që Kosova ka marrë ndër vite.
Abdixhiku përmendi disa momente kyçe të historisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, nuk do të ishin të mundura pa përfshirjen aktive të ShBA-ve, duke filluar nga presidenti George H. W. Bush, Bill Clinton, dhe deri të mbështetja për shpalljen e pavarësisë nga presidenti George W. Bush.
“Shqiptarët e Kosovës, populli i Kosovës, kanë pasur suksese për shkak të mbështetjes bipartizane në Amerikë. Mos të harrojmë, Bushi i vjetër ka vendosur vijën e kuqe, Clinton, demokrat, ka vendosur bombardimet e NATO-s, Bushi i ri ka vendosur shpalljen e pavarësisë. Pra, republikanë, demokratë, republikanë – ne kemi arritur suksese të mëdha historike si popull i Kosovës.” – tha kreu i LDK-së.
Sipas kryetarit të LDK-së, qeveria Kurti zgjodhi që “të mbajë anë pa pikë nevoje” në Shtetet e Bashkuara, e madje të lëshohet edhe në sulme individuale ndaj republikanëve.
“Përçudnueshëm, në këtë periudhë të fundit, kemi pasur një qeveri që ka zgjedhur të mbajë anë pa pikë nevoje. Asnjë nevojë e mundshme, sepse nuk cakton ti fitoren amerikane. Jo vetëm që mban anë, por bën sulme individuale ndaj një lëvizjeje të caktuar – Republikane në këtë rast, e cila ka dhënë rezultate historike edhe për ne.” – tha ai.
Sipas tij, qeveria aktuale ka drejtuar mbështetjen popullore në drejtim të gabuar, duke dëmtuar marrëdhëniet me aleatët kryesorë të Kosovës.
Abdixhiku kujtoi se, si nën udhëheqjen e demokratëve ashtu edhe të demokratëve morëm sanksione dhe nivelin më të ulët të komunikimit si pasojë e sjelljeve të zyrtarëve aktual të pushtetit.
“Por në anën tjetër, mos të harrojmë, gjatë demokratëve kemi marrë sanksione, gjatë republikanëve nivelin më të ulët të komunikimit – pra nuk është se me njërën ose tjetrën palë. Sepse ndoshta, po të ishte e njëanshme, ndoshta edhe do të kishte përfitim.” – tha kryetari i LDK-së.
“Duhet ta kthejmë vëmendjen amerikane”
Abdixhiku bëri thirrje për ndryshim të qasjes së politikës së jashtme të Kosovës. Ai theksoi se është imperative që Kosova të rifitojë vëmendjen dhe përfshirjen e ShBA-ve në çështjet që ndërlidhen me të ardhmen e vendit.
“Është imperative të kthejmë vëmendjen amerikane në çështjen e Kosovës. Çështja e Kosovës me Serbinë nuk zgjidhet pa përfshirjen amerikane. Nuk zgjidhet vetëm me Bruksel. Nuk është zgjidhur asnjë çështje historike në kontinent pa përfshirjen amerikane.” – tha Abdixhiku.
Ai paralajmëroi se nëse qeveria aktuale vazhdon me këtë qasje, Kosova do të humbasë vëmendjen amerikane në çështjet kyçe, si dialogu me Serbinë.
“Nëse populli i Kosovës dëshiron të vetëkënaqet me popullizëm, druaj që do të jetë tepër vonë për të rikuperuar çfarëdo që kemi bërë deri më tani. Historia është e ashpër. Fshin. Historia harron dhe të kthen prapa 50, 100 vite pa asnjë problem. Do të ishte mëkat i madh që ne, pasardhësit e lirisë dhe pavarësisë, ta shkatërrojmë një vend të cilin e kemi ndërtuar me plot mund.” – shtoi kreu i kësaj partie.