Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në 24 vjetorin e Betejës së Koshares, i ka nderuar viktimat që ranë me rastin e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar.
Abdixhiku ka shkruar se Kosharja sot qëndron si tempull rikujtimi për gjithë sakrificën e djemve e vajzave të vendit për të sotmen tonë dhe të ardhmen e brezave që vijnë.
“Na qëndron si shenjë rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë – Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku.
Përderisa i ka përmendur emrat e atyre që ranë më 9 prill 1999.
“Sot, nderojmë Agim Ramadanin, Sali Çekajn, Xhemajl Fetahajn, Abaz Thaçin, dhe secilin hero të rënë në altarin e lirisë. Kosharja, vendi i fundit i tyre, është themel i lirisë sonë. Nderojmë po ashtu, gjithë të rënët e huaj në rrugëtimin tonë drejt lirisë; nderojmë francezin Paillard Arnaud Pierre, algjerianin Murad Muhammad Ali e italianin Francesco Giuseppe Bider. Nderojmë të shkuarën tonë të lavdishme e të dhimbshme”, ka shkruar Abdixhiku.