Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ditë më parë ka shprehur pakënaqësinë e saj në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, përcjell Gazeta Papirus.
Abdixhiku tha se një ministre që nuk skuqet s`mund të jetë bartëse e Ministrisë së Drejtësisë.
I pari i LDK-së tha se kjo qeveri do, por nuk di të menaxhojë.
Postimi i plotë i tij:
“Nga logjika e ‘vajit në tepsi’,
tek sulmet ndaj rendit juridik.
Një Ministri e një ministre që cenon rendin kushtetues të Republikës, s’mund të sjellë politika të drejtësisë. Ky është interpretimi i Gjykatës më të lartë në vend – cenim i rendit kushtetues dhe rendit juridik.
Një ministre që në vend skuqjes e dorëheqjes sulmon Gjykatën Kushtetuese s’mund të jetë as bartëse e Ministrisë së Drejtësisë. Çfarë shembulli drejtësie e barazie për qytetarët punëtorë e të drejtë?! Pse duhet të tjerët të respektojnë Gjykatat kur ato s’respektohen nga pushtetarët?
Këta kaq dinë, por megjithatë duan më shumë. Prandaj përveçse të padijshëm janë dhe të rrezikshëm. Dorëheqja, si akt moral, është domosdoshmëri, e rendi kushtetues është i shenjtë – diçka që popullistët s’arrijnë ta kuptojnë asnjëherë.
Kosova meriton më mirë.
Kosova mundet më shumë!”/Gazeta Papirus/