Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një deklaratë për shtyp shprehet se Kosova është në sulm nga bandat kriminale, ndërsa kryeministri Kurti është në sulm ndaj miqve ndërkombëtarë.
“Sot nuk është ditë e zakonshme e as javë e zakonshme që nga e premtja. Kosova në sulm nga bandat kriminale e kryeministri Kurti në sulm ndaj miqve ndërkombëtarë. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Këtë përmbysje aleancash askush nuk e ka dashur në Kosovë. Për këtë përmbysje nuk ka votuar askush.
Duhet thënë se sulmet e bandave para politike bashkimi me krimin e organizuar dhe prania pro ruse brenda tyre paraqesin rrezik. Kjo situatë duhet kuptuar nga ndërkombëtarët.
Situata e krijuar i konvenon Vuçiçit dhe Rusisë, kështu rrezikohet Kosova. Me të drejtë themi se Kosova nuk duhet të bjerë në grackën e Serbisë. Përkundër të drejtës për zgjedhje e kryetarë dhe ofrimit të sigurisë kur ata janë në punë, nuk duhet prishur marrëdhëniet ndërkombëtare. Nuk na duhet një gjuhë ofenduese ndaj sekretarit të shtetit.
Në kohën kur na duhet ndërkombëtarët, Albin Kurti i sulmon ata. Kurti ka vendosur të mbrojë Kosovën nga Amerika, ne kemi vendosë të mbrojmë Kosovën nga Albin Kurti. Një prej interesave jetike mbetet bashkëpunimi me Amerikën dhe bashkimin evropian”, është shprehur Lumir Abdixhiku.
LDK ka ftuar kryeministrin Kurti në një seancë për të raportuar për situatën në veri dhe për marrëdhëniet me SHBA. Gjithashtu kërkon koordinim me kërkesat ndërkombëtare si hap i parë për qetësimin e situatës. Ndërsa presidentes Osmani i është bërë ftesa të flasë dhe të ketë pozicion të qartë. Heshtja e saj është abstenim nga funksioni i saj.