Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka bërë të ditur se presidenti në largim, Milo Gjukanoviq, ka edhe 20 ditë afat për të rrënuar dy objekte të tij të ndërtuara ilegalisht.
Dritan Abazoviq, me rastin e vendimit të inspektoratit që urdhëron Millo Gjukanoviqin për rrënimin e dy objekteve të ndërtuara ilegalisht, ka thënë se kanë ndërmarrë një aksion të madh për rrënimin e objekteve pa leje në tërë Malin e Zi.
“Dje janë prishur objektet në Utjehi, ndërhyrje të tilla do të ketë edhe në pjesë të tjera të vendit, po prishnim bazat për shfrytëzim të paligjshëm të zhavorrit, nuk më interesojnë personat me emër, a është pronari i objektit Mil. Gjukanoviq, Dritan Abazoviq apo nuk e di kush”, tha Abazoviq.
Një gazetar pyeti Abazoviqin se pse deri më tani është pritur vendimi i Inspektorati Urbanistik dhe Ndërtimor që Gjukanoviq t’i rrënojë objektet e tij pa leje në Koçan afër Nikshiqit, si dhe nëse kjo ka të bëjë me zgjedhjet e ardhshme (zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit).
“Ajo se pse u prit deri tani nuk është çështje e imja. Gjithçka që gjeta, u përpoqa ta zgjidhja sa më shpejt. Përfshirë të korruptuarit brenda administratës publike. Nëse ai [inspektorati] do ta merrte vendimin para zgjedhjeve presidenciale, do ta thoshin ka qenë e qëllimshme për shkak të zgjedhjeve presidenciale. Tani para zgjedhjeve parlamentare. Kemi zgjedhje çdo dy muaj”, theksoi Abazoviq.
Ai vuri re se asgjë nuk mund të bëhej nëse udhëhiqej nga ajo logjikë.
“Pyetja nuk është për qeverinë, as për Ministrinë e Ekologjisë dhe Planifikimit Hapësinor. Pyetja është për Gjukanoviqin se çfarë ka ndërtuar ai në anën e egër”, tha Abazoviq.
Inspeksioni urbanistik dhe ndërtimor i Ministrisë së Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, i kryesuar nga ministrja Ana Novakoviq Gjuroviq, dje ka marrë vendim me të cilin urdhërohet presidenti në largim Milo Gjukanoviq që të rrënojë dy objekte të ndërtuara pa leje në Komunën e Koçanës në Nikshiq.
“Urdhërohet Gjukanoviq që të rrënojë objektet e ndërtuara pa leje në Koçan, në të kundërtën do ta bëjë shteti”, thuhet në vendim, ku thuhet se afati për ekzekutimin e urdhrit është 20 ditë nga data e pranimit të vendimit.
Nëse Gjukanoviq nuk i rrënon objektet brenda afatit të caktuar, këtë do ta bëjë shteti.
Abazoviq u tha gazetarëve në Berane se Gjukanoviq ka 20 ditë kohë për t’i hequr objektet pa leje dhe për të ndihmuar në këtë mënyrë inspektimin e ndërtimit.
“Të mos dalim në fushë dhe të prishim. Ai ka aftësinë ta largojë vetë si një qytetar i përgjegjshëm”, tha Abazoviq, transmeton Podgorica Vijesti.