Deputeti i Kuvendit të Kosovës i cili sot u shkarkua nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka pretenduar se kjo erdhi pak ditë pasi presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ia përmendi emrin në Kuvendin e Serbisë.
Këto deklarata, ai i ka bërë në Tëvë1 ku ka folur në lidhje mbi arsyet e shkarkimit të tij.
“Një javë pasi Vuçiq më përmendi 2 herë emrin në parlamentin serb, erdhi vendimi arbitrar, i pavendosur në asnjë instancë partiake.” – tha ai.
Abazi tutje ka deklaruar se kryeministri Kurti ka paranojë ndaj të tjerëve që mund të ke mendim ndryshe apo kritik në LVV.
“Kjo do të jetë emërues i përbashkët i asaj që ka ndodhë në vazhdimësi…kryeministri Kurti duket që ka paranojë të skajshme ndaj kujdo që mund të ketë mendim të qartë e ndryshe apo mendim kritik brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo është testuar në përcaktimin e kandidatëve për kryetar komunash, zgjedhjet e brendshme etj.” – u shpreh deputeti i Kuvendit të Kosovës.
Abazi ka shprehur tash e shumë kohë pakënaqësi në lidhje me Qeverinë Kurti dhe sidomos me shefen e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusarin. Ai është larguar edhe nga pozita e kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme.
Kujtojmë se Haki Abazi ka deklaruar që një gjë e tillë mund të ketë ndodhur me urdhër të Kurtit për shkak të dëshpërimit nga Brukseli. Në Bruksel Kurti mbrëmë ka negociuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.