Në Komisionin për Punë të Jashtme është duke raportuar ministrja Donika Gërvalla.
Ajo mori një pyetje nga deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, se çfarë strategjie ka për anëtarësimin në Këshill të Europës, meqë, siç tha ai, Serbia po i bullizon shtetet anëtare të organizatës kundër futjes në agjendë të Kosovës në një samit që do të mbahet në maj.
Në maj mbahet Samit i Këshillit të Europës. Nga diskutimet e mia që kam në Strasburg kam kuptuar që Serbia është duke bërë lobim, bullizim të suksesshëm me anëtarët e KiE, duke përdorur pozitën e saj dhe duke kërcënuar Islandën për një sabotim të samitit në maj, që asnjë shtet s’duhet ta bënte. Cila është strategjia që ta kthejmë këtë bullizim në favorin tonë dhe ne përfundimisht të jemi pjesë e KiE”, ishte pyetja e Abazit, transmeton Gazeta Express.
Gërvalla në përgjigje tha se qe në ditën e parë kur është hapur biseda me partnerët e Kosovës, iu është qartësuar se Serbia do ta kundërshtojë fort.
“Ka pasë kërcënime pasi kemi dorëzuar se Serbia do të largohet nga KiE. Është dashur shumë biseda të gjata. Kam qenë tri herë në Strasburg dhe në janar do të jem përsëri”.
Gërvalla tha se kjo është një ngjarje ku kanë dhënë kontribut të gjithë, përfshirë edhe deputetë nga grupe të ndryshme parlamentare.
Ndërkaq, për pyetjen e Abazit ajo tha se janë fjalë të korridoreve që fliten në Këshill të Europës.
“Flitet nëpër korridore të KiE që Serbia mund të kërcënojë me largim në momentin që Islandës i nevojitet njëfarë uniteti rreth Samitit në maj. Por, ne për këtë punë jemi aty me qëllim që t’i dobësojmë këto narrativa. Për t’i bindur partnerët tonë që Serbia, e që në fakt s’është hera e parë në KiE, por në përgjithësi sa herë që Kosova ka aplikuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare, Serbia me kërcënime, shantazhe, gënjeshtra me forma të ndryshme është munduar ta pengojë. Asgjë tjetër s’po ndodh tani. Dhe meqenëse që kemi një përkrahje politike të jashtëzakonshme për anëtarësim në KiE, mendoj që kemi për ta kapërcyer këtë sfidë”.
Abazi sërish komentoi këtë deklaratë të saj.
“Korridoret e institucioneve janë të rëndësishme, ministre”.