Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së Asdren Shalës së Partisë Socialdemokrate.
Ky i fundit ka thënë se Ramush Haradinaj mund të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës, pas përkrahjes për propozimin evropian.
AAK-ja ka thënë se i kanë dhënë mbështetje këtij projekti pa kurrfarë kalkulimi partiak dhe elektoral.
Nga Aleanca tutje kanë thënë se “përpjekja e individëbe apo grupeve të caktuara që këtë qëndrim të interesit nacional e shtetëror të Aleancës, ta vendosin në mozaikun e shkurtpamësisë së tyre, s’është gjë tjetër përpos mjerimi i tyre!”
Komunikata e plotë:
Qëndrimi i Aleancës për propozimin evropian të mbështetur fuqishëm nga ShBA, për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, për dallim prej të tjerëve, ka qenë konsistent e në mbështetje të plotë.
Pa asnjë mëdyshje e kemi vlerësuar se është një marrëveshje që brenda vetes ka njohjen “defakto” të shtetit të Kosovës dhe që është interes nacional i yni!
I kemi dhënë mbështetje këtij projekti pa kurrfarë kalkulimi partiak apo elektoral. Prandaj përpjekja e disa individëve, apo grupimeve të caktuara që këtë qëndrim të interesit nacional e shtetëror të Aleancës, ta vendosin në mozaikun e shkurtpamësisë së tyre, s’është gjë tjetër përpos mjerimi i tyre!
Aleanca dhe gjithë forcat progresive në Kosovë, sot janë rreshtuar me ShBA dhe vendet e BE-së, në procesin e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë!
Rrugës së çlirimit, të lirisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës, i kemi kemi hyrë bashkërisht me partnerët tanë në krye me ShBA, dhe bashkërisht do ta përfundojmë!