Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri thotë se Kosova dhe Serbia “ndahen me letra” përmes planit të Bashkimit Evropian për dialogun.
Duke shprehur mbështetjen ndaj marrëveshjes së dakorduar në parim mes Kosovës dhe Serbisë, Tahiri thekson se përmes së njëjtës fitohet edhe njohja ndërkombëtare për Kosovën.
Megjithatë, ai thekson se duhet pasur kujdes në zbatimin e udhërrëfyesit të këtij plani, pasi “djalli fshihet në detaje”.
Në anën tjetër, ai kërkon edhe konsensus ndërpartiak për planin e BE-së pasi, siç thotë, vula e Kuvendit e legjitimon atë.
Shefi i deputetëve të AAK-së, në një intervistë për KosovaPress, thotë se porositë e faktorit ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë marrëveshje janë shumë të qarta, andaj duhet pasur kujdes të madh se si trajtohet.
“Porositë e faktorit ndërkombëtar, në krye me ShBA-në, janë shumë të qarta për Kosovën. Është porosia e parë që Kosova dhe Serbia duhet njëherë e përgjithmonë të ndahen, njëfarë forme të ndahen me letra. Ndarja me letra mes Kosovës dhe Serbisë është marrëveshja evropiane dhe amerikane. Ndaj kësaj marrëveshje duhet të jemi shumë serioz. Padyshim se secili qytetarë i Kosovës kur flet për një ndarje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dilema, pasi kemi të bëjmë me një armik të përbetuar tash e me shekuj”
“Mirëpo nëse e shohim marrëveshjen me një vështrim kritik, ka elemente, ku thotë se neni 10 se gjitha marrëveshjet duhet të hynë në zbatim, por ne fatmirësisht për Asociacionin e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Por për çështje të tjera kanë të bëjnë me detyrimin që ia bënë bashkësia ndërkombëtare Serbisë që me pas njohje ndërkombëtare ndaj Kosovës”, deklaron Tahiri.
Tahiri kërkon që institucionet e Kosovës mos t’i frikësohen këtij plani, pasi thotë se kur lexohet i njëjti nuk figuron në veçanti Asociacioni i komunave me shumicë serbe, por zbatimi në tërësi i gjithë marrëveshjeve të kaluara të Brukselit, ku ka marrëveshje të favorshme për Kosovën që nuk po zbatohen.
Ai thekson se në bazë të qëndrimeve që kanë marrë nga aleatët e Kosovës, integriteti territorial, sovraniteti dhe kushtetutshmëria nuk do të preken në këtë ujdi.
“Kur lexohet marrëveshja, fillimisht në 11 pikat e saj nuk figuron emri Asociacion, pra s’ka zotime për Asociacionin. Në pikën e dhjetë thuhet se do të zbatohen të gjitha marrëveshjet. Disa prej tyre janë të mira. Marrëveshjen që e ka bërë ish-presidentit Thaçi IBM për pikat kufitare, aty ta ka njohur kufirin, është marrëveshje e mirë… E tash ku duhet të kemi kujdes, anglezët e përdorin një fjalë, ku thonë se ‘dreqi flenë në detaje’.
Pra detajet janë shumë të rëndësishme. Është tepër e rëndësishme që në planin e veprimit, udhërrëfyesin që do të jetë në marrëveshje mos të marrim obligime të cilat e prekin substancën e shtetit. Çka dimë prej qëndrimeve evropiane është se integriteti territorial, sovraniteti i vendit, rregulli kushtetues dhe qeverisës nuk do të preket. Pra, nuk do të ketë nivel të tretë qeverisës”, thotë ai për KP.
Megjithatë, Tahiri kërkon nga kryeministri Kurti të ketë kujdes se si e trajton këtë marrëveshje dhe mos të dëmtojë Kosovën, pasi deklaron se i njëjti shpeshherë ka pasur qasje të gabuar.
“Zotëri Kurti dhe qeveria e ka pasur qasjen krejt të gabuar… Albin Kurti ka bërë gabime serioze në hapa dhe tani duhet të ketë shumë kujdes që mos të dëmtojë Kosovën”, shton ai.
Në anën tjetër, Tahiri përmend nevojën për bashkërendim të të gjithë spektrit politik për dialogun. Ai thotë se vetëm vula e Kuvendit do ta legjitimonte marrëveshjen me Serbinë.
“Ne duhet të shohim fillimisht pjesën tjetër (aneksin e zbatimit të planit). Nëse nuk preket asnjë ligj duhet të analizohet, kjo është edhe aspekt juridik, me pa cilat janë konsekuencat ku i bie Kosovës më mirë. Roli i Kuvendit është i rëndësishëm dhe vula e Kuvendit e legjitimon një marrëveshje, ligjërisht të obligueshme. Por duhet të shohim se ku është pozicioni dhe ku përfiton Kosova më shumë”, thotë Tahiri.
Takimi i radhës i nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pritet të diskutojnë për planin e Bashkimit Evropian për dialogun dhe udhërrëfyesin e zbatimit të tij.
Për të përgatitur këtë takim dhe për të diskutuar për zbatimin e tij, gjatë kësaj jave qëndroi në Kosovë, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.