Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka iniciuar mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës.
Pas mbledhjes së Kryesisë së AAK-së të mërkurën, kryetari i kësaj partie Ramush Haradinaj tha se mocioni ndaj qeverisë bazohet në dy pika.
“Kemi iniciuar mocion mosbesimi për kryeministrin Kurti, i cili bazohet në zhvillimet më të fundit. I pari ka të bëjë me rrezikimin e sovranitetit të vendit në veri dhe e dyta është prishja e marrëdhënieve me ShBA-të dhe BE-në, deri te sanksionet nga ShBA-ja ndaj Kosovës”, tha Haradinaj në një konferencë për media.
Ai tha se lidhur me mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti kanë nisur diskutimet me kryetarët e partive opozitare.
“Kemi filluar komunikimin e ndërsjellë me kryetarët e partive dhe me kryetarët e grupeve parlamentare. Rezultatet e këtij komunikimi do t’i njoftojmë së shpejti”, ka deklaruar ai.