Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar që qëndrimet e tij për çështjet kryesore politike që po zhvillohen në Kosovë, t’i deklarojë në mediat jashtë Kosovës. Kësaj radhe, ai ka folur në Euro News Albania, ku tema kryesore ishte ajo lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Në këtë intervistë, Kurti, ka theksuar se po ushtrohet një ndikim i madh ndërkombëtar ndaj qeverisë së tij në lidhje me Asociacionin. Por ai ka deklaruar se nuk mund të pranojë një asociacion një-etnik, përkundër presionit.
“Marrëveshja e asosacionit nëse është e veçantë është se nuk e kaloi testin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në një farë mënyre kjo marrëveshje është e vetmja nga 33 marrëveshjet që u rrëzua në gjykatë. 7 Kapituj i ka ajo marrëveshje por gjithsej në 23 nene e ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës me secilin nga 7 kapitujt”,- deklaroi Kurti.
Kryeministri vlerëson se sfida kryesore në dialog është rregullimi i çështjeve të pakicave kombëtare në vendet tona, dhe beson se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës.
”Pra 93% shqiptarë thanë nuk bën të shpallet shqiptarë tash kur kremtojmë 15 vjetorin na thonë duhet një asociacion mono etnik pra, njëetnik. Jo pra tash asociacioni i Komunave të Kosovës është multietnik. Pse u dashka të prishim rendin kushtetues edhe asociacionin ekzistues në komunat e Kosovës me një asociacion mbi baza etnike kur mbi baza etnike nuk na lejuan ta shpallim pavarësinë këtu e 15 vjet përpara faktorët ndërkombëtarë”, tha Kurti, duke e quajtur të padrejtë presionin ndërkombëtar mbi qeverinë e Kosovës.
“Andaj presioni që bëhet mbi Kosovën është tejet i madh dhe i padrejtë mirëpo pozita jonë me argumente mbi diskutimin që bëjmë është tejet e volitshme. Nuk ka debat mbi asociacionin që zyrtarët tanë nuk e fitojnë”, shtoi Kurti.