Kohët e fundit opozita ka përmendur mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për shkak se sipas saj Qeveria dështoi t’i realizonte premtimet, por sipas Vetëvendosjes kritikat e opozitës janë të paqëndrueshme.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nëse do të ketë mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti, AAK-ja do të votojë pro.
Nëse ka një mocion për rrëzimin e kësaj qeverie, ne i bashkohemi. Nuk e kemi ne fuqinë me i shpallë zgjedhjet. Mendojmë që ka një listë të veprimeve të gabuara të kësaj Qeverie, që mendojmë që duhet me ndërhy”, deklaroi Haradinaj.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se për shkak që ka shumicën e deputetëve në parlament, vetëm kryeministri i Kosovë, Albin Kurti mund ta rrëzojë veten nga pushteti.
“Ju duhet ta kuptoni që zgjedhjet kanë procedurë, mandati është valid katër vjet. Sot numrat në Kuvend e definojnë qysh mundet me shku në zgjedhje. Në zgjedhje Kosovën mundet me qu veç Albin Kurti, sepse kanë shumicën dërmuese në Kuvend, Qysh rrëzohet Qeveria, pra përmes mocionit ose dorëheqjes”, tha Krasniqi, transmeton Telegrafi.
Në LDK konsiderojnë që nuk duhet të shkohet në zgjedhje në zgjedhje të jashtëzakonshme, megjithëse kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka pasur kritika të shumta ndaj pozitës, madje ai e ka quajtur Qeverinë Kurti të paaftë, tallëse dhe të vonuar.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilaka thënë se vendi ka nevojë për stabilitet dhe se viteve të fundit ka pasur rrethana e situata të jashtëzakonshme të panevojshme.
“Nuk ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme, kemi nevojë për normalitet mbi të gjitha. Kemi pasur rrethana dhe situata të jashtëzakonshme në këto katër vite më shumë se që kemi pasur nevojë, në kuptimin e mos-stabilitetit politik. Është një opozitë që ka qenë në pushtet dhe nëse dëshirojnë ta krahasojnë veten me Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në kohën kur ishte opozitë, atëherë po e bëjnë një kopje, sepse në kohën kur ata e kanë bë opozitën nuk kanë qenë në pushtet, e këta kanë qenë në pushtet”, u shpreh Kusari-Lila.
Analisti, Artan Muhaxhiri vlerëson se nuk është momenti për zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Po është e pritshme që secila parti opozitare të tentoj ta rrëzojë pushtetit, e të vij vet në pushtet. Por, kjo është e pritshme e logjikshme kur të krijohen parakushtet. Unë nuk shoh që tani janë parakushtet për një rrëzim të Qeverisë sepse dallimi i 14 shkurtit ka qenë shumë i madh, edhe pse rënia e LVV-së është evidente”, tha Muhaxhiri për RTV 21.
Ai ka kritika edhe ndaj punës së Qeverisë.
“Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me premtime të jashtëzakonshme, jo realiste, dhe kjo tani po i faturohet sepse ato premtime kanë qenë të pamundshme të realizohen në kontekstin kosovarë dhe me të drejt qytetarët janë të zhgënjyer në një masë sa i përket punësimit, rrymës dhe politikës ndërkombëtare”, u shpreh ai. /Telegrafi/