Policia e Kosovës asnjëherë tjetër nuk ka qenë kaq e ekspozuar ndaj rrezikut dhe asnjëherë tjetër për një kohë kaq të gjatë siç është tani me situatën në Veri, por është hera e parë tash e 15 vjet që shteti ka vendosur t’ua ndalë shtesat për rrezikshmëri në punë.
Asnjë pagesë ekstra nuk do ta marrin as për oraret e stërzgjatura të punës këto ditët e fundit në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Përveç mungesës së sigurimeve shëndetësore, për herë të parë, pas 15 vjetëve, policët do mbeten pa shtesa për punën me rrezik që kryejnë.
Për kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.
Ai i tregon se kanë bërë sa e sa kërkesa te Qeveria, por asnjë nga këto kërkesa as që është shqyrtuar.
Policët më parë merrnin shtesat për orar të zgjatur e rrezikshmëri në punë sipas një rregulloreje të brendshme të policisë, por me funksionoalizimin e ligjit të ri për paga kjo rregullore u ndalua.
Në anën tjetër, ligji i ri nuk e rritë pagën deri në atë nivel sa të barazojë të paktën shumën e më parshme që dilte bashkë me shtesat
Për një zgjidhje në këtë drejtim s’kanë diskutuar as në Kuvend.
As nuk është diskutuar diçka e tillë e thotë edhe ish drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tani deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.
“Është e papranueshme, është absurde që Policisë së Kosovës të mos i paguhen shtesat për rrezikshmërinë”, thotë Qalaj.
Paralajmërohen veprime sindikale
“Vazhdimisht kemi kërkuar që shtesat për rrezikshmëri të përfshihen në Ligjin e Pagave, këtë e kemi kërkuar dhe sqaruar për secilën njësi policore”, thotë Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.
Veprim konkret nga qeveria s’ka, e nëse do vazhdojë kështu, atëherë do jetë policia që do i konkretizojë kundërshtitë.
“Nëse vazhdohet kështu pa ekzekutimin e shtesave për rrezikshmëri dhe shtesat për stafin civil, atëherë do të veprojmë sipas kërkesave të policisë, pa përjashtuar asnjë formë të veprimit ligjor sindikal”, thotë Zeqiri.
“Gjithmonë dhe menjëherë do të duhet të ekzekutoheshin shtesat për rrezikshmëri sepse zyrtari policor gjithmonë në 24 orë është i rrezikuar, sepse ka obligim ligjor që në çdo kohë të veprojë kur paraqitet nevoja”.
Rashti Qalaj e shpjegon se situata e policëve është e vështirë. Ata në njërën anë janë shërbyes që nuk kursehen dhe veprojnë me urgjencë e në nevojë të shtetit, në anën tjetër janë aq vital për rendin e ligjin saqë forma më e vogël e protestës do rrezikonte krejt funksionimin.
Qalaj thotë se s’ka të bëjë madje veç me situata ekstreme si kjo e fundit në Veri.
“Polici i patrullës në orët e vona të natës, nuk e di se kënd do ta ndal në trafik me çfarë personi ka punë, me çfarë rrezikshmërie do të përballet”, thotë tani deputeti.
“Pastaj, hetuesit që arrestojnë banda të ndryshme sidomos në fushën e krimit të vazhduar gjatë luftës kundër narkotikëve, trafikimit me qenie njerëzore, njësitë e deminimit, që bëjnë deminimin e pajisjeve të ndryshme me rrezik të jashtëzakonshëm, njësitë speciale që sot i kemi në Veri e që nuk e dinë se me çfarë do të ballafaqohen”.
Si ish-drejtor i këtij institucioni, Qalaj tregon se si ishte më parë çështja e shtesave për policë.
“Në kuadër të Policisë ka pasur disa lloje të rrezikshmërisë varësisht prej njësive që kanë punuar. Duke filluar nga policët e patrullave, policëve hetues, pastaj policëve të komunikacionit, pastaj edhe policëve që kanë punuar në njësinë speciale”.
“Do të thotë lartësia e rrezikshmërisë ka qenë e ndryshme, varësisht si është vlerësuar nga komisioni që ka qenë në kuadër të Policisë së Kosovës”.
Situatën e ndryshoi ligji i ri për pagat. Kur policët prisnin t’u shtohej vlera që marrin me shtesa, ndodhi e kundërta.
“Është fakt se ka disa muaj që policia e merr pagën pa u përfshi shtesat për rrezikshmërinë, është shumë absurde sepse nëse vetëm një profesion është me rrezik më të lartë sesa profesionet e tjera ajo është Policia e Kosovës”.
Në rolin e deputetit ai as nuk sheh ndonjë iniciativë nga Qeveria e Kosovës, që të përfshihen shtesat për rrezikshmëri.
“Nuk është që ka ndonjë vullnet nga Qeveria për pagesën e rrezikshmërisë edhe pse kryeministri i vendit në seancën e kaluar u duartrokit nga deputetët e Vetëvendosjes kur tha se policia dëshiron mbështetje”.
Por, thotë Qalaj, mbështetja do të duhej të vinte në formën e shtesave, sic ka ndodhur në të kaluarën.
“Me masa nuk mbështet policia, policia dëshiron të mbështet konkretisht me paga më të mira, me shtesa për rrezikshmërinë, me shërbime shëndetësore, sigurime shëndetësore, ligji për pensionistë, shuajtjet dhe pagesa e natës e kështu me radhë”.
“I bej presion Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të bëj më shumë presion tek Qeveria e Kosovës që ligji për shtesat e rrezikshmërisë të përfshihet”.
Hiç më larg se 5 qershori, Policia e Kosovës, është sulmuar në Zveçan nga protestuesit serbë, derisa një veturë po patrullonte.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Mund të konfirmojmë se, një veturë policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare duke patrulluar në drejtim të komunës së Zveçanit, është penguar dhe sulmuar me mjete te forta nga protestuesit”.
“Si pasojë e sulmit me mjete të forta (gurë), veturës i është thyer xhami, e cila më pas është larguar nga ai lokacion”, tha Kelani.
Teksa ka thënë se nuk ka të lënduar dhe rasti ka filluar të hetohet.
Ndryshe, që nga përfundimi i luftës së fundit, 19 zyrtarë të Policisë kanë humbur jetën në detyrë.
Rasti i parë është regjistruar në shtator të vitit 2001.
Me legjislacionin në fuqi, e drejta e kompensimit nga buxheti i shtetit u takon dy kategorive: familjarëve të zyrtarëve policorë që vdesin në detyrë dhe atyre në kryerje të detyrës./Albanianpost