“Nëse mendoni se do ta merrni djathin falas, nuk do ta merrni kurrë, sepse djathë falas ka vetëm në kurthe miu. Të mësojmë diçka nga pleqtë dhe veteranët e politikës”, ka thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq për mediat, duke iu përgjigjur pyetjes – a lidhet afrimi i përshpejtuar në Bashkimin Evropian për Serbinë me njohjen e Kosovës.
“Këto nuk janë gjëra që nuk i dimë”, ka vlerësuar presidenti serb pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe ka theksuar se këtu nuk bëhet fjalë për njohjen e Kosovës, por për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Kjo është diçka që ne e dimë që kur jemi në rrugën evropiane. Kjo nuk është asgjë e re për ne dhe të mos shtiremi si budalla sikur po e dëgjojmë këtë për herë të parë, por të bëhemi të drejtë ndaj vetes. Ashtu siç ne kërkojmë prej tyre që të jenë të drejtë me ne kur flasin për integritetin territorial dhe të gjitha tregimet tjera për të cilat nuk dua të flas tani”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka shtuar se Serbia që moti ka pranuar se dëshiron të jetë pjesë e BE.
“Mirëpo kërkesa e tyre ka qenë edhe para dhënies së statusit të kandidatit, që të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ne nuk mund t’i marrim vetëm paratë e BE-së dhe atë çfarë na pëlqen, por duhet edhe t’i plotësojmë detyrimet e caktuara të vendosura nga BE, dhe njerëzit në Serbi duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë”, ka thënë Vuçiq duke u përpjekur ta përgatisë popullin e tij për vendimet “e vështira” për Serbinë, të cilat duhet t’i merr së shpejti. /Gazeta Papirus/