Ditë më parë, Qeveria e Kosovës njoftoi se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare.
Ky dokument, bazohet në modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht në modelin e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kroaci (SNV).
E për këtë model, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi.
Sipas tij, modeli kroat është i përshtatshëm dhe mund të implementohet, pasi me të përjashtohen organizimi territorial i minoritetit serb mbi baza të pushtetit shtetëror.
“Modeli kroat për pakicat kombëtare është një model i përshtatshëm dhe mund të shërbejë si bazë edhe në rastin e të drejtave për minoritetet në Kosovë.
Po ashtu, Kelmendi theksoi se me këtë model nuk do ketë vendime ekzekutive që drejtojnë në hierarki të pushtetit.
“Modeli kroat i jep mundësi subjektit të interesohet dhe të angazhohet për liritë dhe të drejtat qytetare e kombëtare.
Nuk ka fuqi vepruese dhe nuk ka vendime ekzekutive që drejtojnë në hierarki të pushtetit.
Organet përbëhen nga përfaqësuesit e minoritetit dhe përgjigjet para zgjedhësve dhe shtetit ku është”, potencoi juristi.
Ndër të tjera, shtoi se krahas gjithë këtyre nuk duhet të merret si tërësi ky model, por të përshtatet me kompetencat e Kushtetutës së Kosovës.
“Natyrisht se ky mekanizëm nuk ka pushtet në hapësirën territoriale dhe qëndrimet nuk kanë implementim obligativ. Nuk është organizim me karakter dhe në elemente të pushtetit.
Megjithatë, Kosova nuk duhet të marrë në tërësi modelin dhe ta zbatojë në vend. Modeli kërkohet të shërbej si bazë për diskutim dhe nuk duhet të tejkalon kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës. Kjo, vlen për çdo model, që mund të merret në diskutim”, përfundoi Muhamet Kelmendi.