Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjor për shpifje ndaj gazetarit Ridvan Berishës, i cili ka thënë se Osmani dhe kabineti i saj janë të përfshirë në lirimin e ish-policit, Dejan Pantiq.
Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Ridvan Berisha, tha se nuk tërhiqet nga deklarata, pasi sipas tij do të tërhiqej vetëm në rast se do ta fyente dikë pa dashje.
“Unë nuk tërhiqem nga deklarata, tërhiqem vetëm në rast se fyej dikë pa dashje e ofendoj dikë pa dashje, përndryshe atë informatë me vetëdije të plotë e kam shpërndarë me publikun”, tha Ridvan Berisha.
Tutje, ai e tregoi informacionin për të cilin theksoi se ka burime shumë të besueshme, duke vazhduar se si ka ardhur edhe deri te padia e Presidentes Osmani.
“Për sa kohë që mbrëmë isha në një studio televizive, në emisionin Politiko, po diskutohej çështja e rastit të plagosjes së dy të rinjëve në Shtërpcë në kontekst të elaborimit politik të zhvillimeve që ishin në veri, me rastin e barrikadave që ishin atje edhe atëherë e bëra një informacion për të cilën kam burime mjaft të besueshme, se Presidentja me ekipin e saj, është përfshirë në këtë rast duke e tejkaluar një problem që do të mund të ndodhte në natën kritike, kur edhe u arrit marrëveshja për heqjen e barrikadave”.
“Presidentja nga Istogu atje paralajmëron publikisht, e këtë nuk e thotë zoti Kurti, e ka thënë ajo nga atje, që tërheqja e barrikdave është çështje orësh, përtej deklaratave të saj publike, ajo çka nuk është pa me sy të publikut, por që mund të shihet, nga kontaket tona me burime po them shumë kredibile, të besueshme, është që ajo ka ndërhyrë në kuptimin, duke mos e lënë të bëhet nami më i keq atje në veri. Tani demanti i saj e kuptoj demantin e saj, sic tha ajo këtë rrugë kam zgjedhur dhe duke e cilësuar si shpifje atë cfarë kam thënë”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se është i gatshëm të ballafaqohet në gjykatë dhe thotë se do t’ia komunikoj të gjitha provat që e lidhin këtë kontekst.
“Ne ballafaqohemi në gjykatë nëse ajo e pretendon këtë. Unë ja komunikoj të gjitha provat që e lidhin atë në këtë kontekst”, tha për fund Berisha.