Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të pranojnë ftesën për pjesëmarrje në takimin e krizës në Bruksel, duke mos vendosur asnjë kusht, duke paralajmëruar se mospërfillja e kësaj ftese mund të ketë pasoja për palët.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin për një takim në Bruksel gjatë kësaj jave, në mes të tensioneve të rritura mes dy shteteve.
Presidenti i Serbisë e ka refuzuar të takohet me Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.
Kurti sot tha se fillimisht pret që shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd të takojë policët e Kosovës, dhe pasi të kuptojë gjendjen e tyre, do të vendosë nëse do të pranojë ftesën e Borrellit për takim.
Ai shtoi se të hënën gjatë takimit të ministrave të BE-së çështja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në agjendë.
Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.