Me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, proces i cili ende nuk dihet se kur do të ndodhë, do t’i hapet rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe krijimit të Qeverisë së re. E fundi i muajit mars po konsiderohet si një afat kohor, i cili do ta gjej Kosovën me institucione të reja.
Procedurat e mëtutjeshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës i ka shpjeguar hulumtuesi në Instituti e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani brenda 30 ditëve duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas certifikimit të rezultatit zyrtar zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në të cilën zgjidhet kryetari i Kuvendit, i cili në bazë të rezultateve të zgjedhjeve i takon Lëvizjes Vetëvendosje, dhe pastaj zgjedhën edhe nënkryetarët e Kuvendit.
“Certifikimi i rezultatit përfundimtar i qel rrugë presidentes që me thirr seancën e parë konstituive, e cila duhet me u mbajt 30 ditë nga data kur shpallen rezultatet përfundimtare. Në rast se presidentja nuk e thërret….atëherë Kuvendi mblidhet vetë në ditën e 30, e thërret presidentja, por kryetari i Kuvendit nuk e thirr mbledhjen e kryesisë për ta caktuar rendin e ditës, Kuvendi mblidhet prapë me datën kur e ka thirr presidentja, dhe po në atë seancë do të duhej të zgjidhej kryetari, nënkryetarët në mënyrë që të konstituohet Kuvendi…..
I hapet rrugë që presidentja partinë e parë që ka dal nga zgjedhjet që ta propozoj mandatarin e qeverisë. Në ndërkohë pas marrjes së dekretit nga mandatari, ai ka një afat deri 15 ditë që t’ia propozoj Kuvendit përbërjen e Qeverisë së Kosovës dhe të dëshmoj që i ka edhe numrat. Në rast të një dështimi të tillë, atëherë presidentes i hapet prapë një rrugë tjetër që të dialogojë me partitë tjera apo koalicionet që dëshmojnë se i kanë votat.. Prej momentit që dekretin e merr i dyti, ky i ka pastaj 10 ditë për ta themeluar Qeverinë e Kosovës. Në rast se as ky i dyti nuk mundet, vendi shkon në zgjedhje”, shprehet Jakaj.
Hulumtuesi i IKD-së beson që fundi i muajit mars do ta gjejë Kosovën me institucione të formuara.