Sanksionet amerikane kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) nuk do të krijojnë asnjë efekt në tregun e karburanteve në Kosovë, vlerësojnë nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës.
Kryetari Fadil Berjani thotë se Kosova nuk importon karburante nga Serbia dhe rrjedhimisht “nuk do të ketë as lëvizje të çmimeve të naftës dhe të benzinës në vend”.
Dogana e Kosovës konfirmon se gjatë vitit 2024 nuk ka pasur fare importe të naftës dhe benzinës nga Serbia.
Nga Oda Ekonomike e Kosovës, ndërkaq, thonë se sanksionet ndaj NIS-it mund të ndikojnë në ngritjen eventuale të çmimeve të produkteve në Serbi, të cilat më pas importohen në Kosovë.
Më 10 janar, Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur NIS-in në listën e sanksioneve, për shkak të aksioneve që ka në të kompania ruse, Gazprom Neft.
Qëllim i sanksioneve është ta pengojnë Rusinë që t’i përdorë të ardhurat nga energjia për luftën e saj në Ukrainë.