Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka ende asgjë zyrtare sa i përket tërheqjes së Aleksandar Jabllanoviqit nga gara për të parin e Leposaviqit.
Këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai tha se është përmbyllur procesi i certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatët pëe zgjedhjet e 23 prillit, derisa shton se më 27 mars ka përfunduar afati pëe tërheqjen e subjekteve politike nga gara zgjedhore.
Ai tutje ka njoftuar se procesi i shtypjes së fletëvotimeve ka përfunduar sot.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e së dieles, më 23 prill. Po ashtu, më 27 mars 2023 ka përfunduar edhe afati për tërheqjen e subjekteve politike nga gara zgjedhore. Pasi janë përmbyllur të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në zgjedhje, KQZ-ja ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve. Së fundmi, procesi i shtypjes së tyre ka përfunduar gjatë ditës së sotme, e enjte”, ka thënë Elezi .
Kosovapress, duke u thirrur në burimet e saj, sot ka raportuar se Jabllanoviq ka hequr dorë nga gara për kryetar të Leposaviqit. Sipas këtij mediumi, tërheqja e PKS-së nga gara zgjedhore vjen si pasojë e presionit të madh që po u bëhet serbëve të Kosovës nga Beogradi Zyrtar.
Të dielën do të mbahen zgjedhjet për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.