Fotografia e një gruaje shtatzënë në qytetin ukrainas të Mariupolit, e cila shihet duke u larguar nga materniteti, për shkak të sulmeve ruse, është shpallur fotografia më e mirë e vitit në gjithë botën.
Në fotografinë e realizuar nga fotografi i agjencisë Associated Press, Evgeniy Maloletka, Iryna Kalinina, 32-vjeçare, shihet duke u bartur nga rrënojat, pas shkatërrimit të spitalit.
Kalinina dhe foshnja e saj kanë vdekur pak kohë pas sulmit.
“Juria beson se kjo fotografi tregon absurditetin e tmerrit të luftës”, ka thënë juria në ceremoninë e ndarjes së çmimit.
“Ky është një prezantim i saktë i ngjarjeve të vitit, dhe dëshmi se krimet e luftës janë duke u kryer nga forcat ruse kundër civilëve ukrainas”.
Maloletka dhe kolegu i tij Mstyslav Chernov, kanë kaluar gati tri javë duke dokumentuar tmerret e luftës në Mariupol.
“Për mua, kjo është fotografia që dua ta harroj. Por nuk mundem”, ka thënë ai përmes një video-incizimi.
“Shpresoj që gjithë puna që kemi bërë, do të ndihmojë që njerëzit të kuptojnë. Ndoshta do të përdoret në ndonjë rast kundër krimeve ruse të luftës”.
Moska e ka fituar kontrollin e Mariupolit në pranverën e vitit të kaluar, pas përleshjeve të rënda.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL