Përkundër që orari i punës për punonjësit në institucionet publike është tetë orë, sot (të enjten) në prag të festës së Fitër Bajramit, kanë punuar me gjysmë orari.
Megjithatë ky orar ka vlejtur vetëm për gratë e këtij sektori. Ndërsa, edhe nesër (të premten), zyrtarët publikë do të kenë pushim për festën e Bajramit.
Një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, Remzi Sheqiri ka thënë se kanë pasur një njoftim që gratë dhe vajzat të punojnë sot (të enjten) vetëm deri në orën 12:00.
Për Sheqirin ky vendim është i drejt, pasi thotë se femrat kanë punë të shtëpisë më shumë se meshkujt.
“Për femra po, prej 12:00. S’është e padrejtë (për meshkujt), sepse i kanë disa punë të shtëpisë femrat, pak më shumë se meshkujt”, thotë Sheqiri.
Edhe një zyrtarë tjetër nga Instituti për Planifikim Hapësinor ka thënë se deri në ora 12:00 nuk është ardhur ndonjë njoftim për të punuar me orar të shkurtër.
Megjithatë, Shpend Agaj punonjës në këtë institut thotë se duhet pasur konsideratë që të paktën nënat t’i lëshojnë më herët.
“Kurrfarë vendimi nuk është ardhur për të punuar me orar të shkurtuar… Ndoshta nënat është mirë t’i lëshojnë për shkak se është edhe natë e madhe, ndërsa ne meshkujt deri në fund të orarit, në ora 16:00”, thotë Agaj.
Shefi i sektorit për informim, Përparim Gashi thotë se nëse në vendet perëndimore praktikohet që të punohet me gjysmë orari për festa të tillë, është mirë ta marrin edhe institucionet e vendit.
“Nëse në tjerat vende bëhet, ne praktikat perëndimore nuk është keq t’i marrim… Ishte dashur të ndërrohet (orari), por kur janë festat në vikend është dashur të hiqet ajo praktikë dhe të lihet si të qëllon”, thotë Gashi.
Ndërkaq, një zyrtarë tjetër, Naser Korça ka kundërshtuar vendimin nëse për festa të tilla duhet të punohet me gjysmë orari.
“Absolutisht jo, pse të punojmë me gjysmë orari…Menaxhmenti mund të merr ndonjë vendim, por nuk e di ku bazohet, nuk ka mbështetje në ligj”, thotë Korça.”, thotë Korça.
Ndërkohë, gratë dhe vajzat që punojnë në administratë publike nuk kanë pranuar të flasin para kamerës.
Deri në momentin e publikimit të temës, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk kanë kthyer përgjigje për KosovaPress nëse ka pasur ndonjë vendim për shkurtim të orarit të punës në administratën publike.