Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka bërë të ditur se tanimë kanë paguar gjobën e shqiptuar nga Agjensioni për Informim dhe Privatësi.
Përmes një statusi në Facebook, Molliqaj e ka cilësuar gjobën si absurde, politike si motiv dhe e padrejtë për nga ligji.
“Prandaj këtë e kemi denoncuar përmes padisë në Gjykatë të cilën jemi të bindur që do ta fitojmë dhe kjo shumë do të na kompensohet”, ka shkruar mes tjerash Molliqaj.
Postimi:
Faleminderit!
Sot paguam gjobën e shqiptuar ndaj PSD nga Agjensioni për Informim dhe Privatësi. E bëm pagesën brenda afatit 15 ditor, dhe në këtë mënyrë paguam vetëm gjysmën e shumës.
Gjoba është absurde në shumë drejtime. Politike si motiv dhe e padrejtë për nga ligji. Në rast të mos pagesës rrezikonim funksionimin e përditshëm dhe aktivitetet opozitare.
Prandaj këtë e kemi denoncuar përmes padisë në Gjykatë të cilën jemi të bindur që do ta fitojmë dhe kjo shumë do të na kompensohet.
Ishin dhjetëra donacione që për pak ditë arritën shumën prej 11,778.25 euro. Përgjigja e aktivistëve e qytetarëve ishte shumë e shpejtë prandaj jemi të ngazëllyer dhe shumë falenderues.
Pushteti ka ndryshuar metodën. Dikur përdorte dhunën policore e burgun, kurse tash ka filluar gjobat e ulëta e të larta për secilin veprim tonin opozitar. Kjo është shenjë e qartë e një pushteti represiv. Prandaj aktiviteti ynë do të vazhdojë edhe më fuqishëm.