Prokuroria Speciale ka njoftuar të enjten se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.
Për të njëjtin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikt i interesit”.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, ndaj të pandehurit me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin për media.
Mesditën e së mërkurës Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet tjera shtetërore filloi një aksion të gjerë duke bastisur zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe dy banesa private që rezultuan të jenë në pronësi të Nagip Krasniqit – drejtor i KEK-ut.
Pas aksionit, Prokuroria Speciale njoftoi se është arrestuar Nagip Krasniqi nën dyshimet për tri vepra penale të lartpërmendura.