Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, tha se çështjen e anëtarësimit në Ballkanin e Hapur do ta trajtojë qeveria e ardhshme dhe parlamenti.
Presidenti në ardhje deklaroi se më mirë është të marrim pjesë si Mali i Zi në Ballkanin e Hapur se sa të mbetemi jashtë saj, raporton rtcg.
“Ideja e Bashkimit Evropian (BE) u lind si ideja e bashkëpunimit ekonomik rajonal midis vendeve të Beneluksit, Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Ne në Ballkan, shpesh harrojmë rëndësinë e integrimeve tona rajonale ekonomike kur flasim për integrime evropiane. Përmirësimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit rajonal është diçka për të cilën gjithmonë kam punuar si ekonomist”, tha Milatoviq, duke folur për nismën Open Balkan.
Ai tha se prioritet i të gjitha prioriteteve është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe “përderisa ky është qëllimi ynë kryesor, nuk shoh asnjë problem në përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal në të njëjtën kohë”.
“Për më tepër, mendoj se është pjesë integrale e integrimeve tona në BE”, ka theksuar Milatoviq.
Kujtojmë se presidenti në largim, Milo Gjukanoviq ka qenë kundër pjesëmarrjes në këtë iniciativë gjersa kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviq ka marrë pjesë si vëzhgues.
Ndryshe, Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja-Hercegovina nuk janë pjesë e iniciativës rajonale, ku deri më tani bënë pjesë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.