Reshjet e vazhdueshme të shiut dhe të borës janë duke bërë që në disa zona të ketë edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
KEDS-i ka bërë të ditur se ka reaguar menjëherë, duke angazhuar rreth 400 punëtorë të terrenit për të sanuar dëmet që po shkaktohen në rrjet si pasojë e faktorëve atmosferikë.
“Zonat më të prekura aktualisht janë: Distrikti i Pejës, Mitrovicës dhe pjesërisht Prishtina. Ekipet e KEDS-it janë duke punuar pa ndërprerë që nga orët e vona të ditës së djeshme në mënyrë që sa më parë të stabilizohet furnizimi me energji elektrike. Mirëpo, kushtet atmosferike janë duke e vështirësuar tej mase intervenimin, pasi në shumë zona ekipet nuk po mund të depërtojnë me makineritë e rënda, për shkak se terreni është i pakalueshëm nga reshjet. Kësisoj, ata po detyrohen që rregullimin e prishjeve ta bëjnë duke bartur fizikisht të gjithë materialin e nevojshëm”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
KEDS-i fton të gjithë konsumatorët e zonave të ndikuara që në rast se shohin avari në rrjet assesi të mos i afrohen, por të thërrasin menjëherë Qendrën e Thirrjes në numrin pa pagesë 0800 79 100 ose të shkruajnë përmes rrjeteve sociale.