Milani është kualifikuar për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për herë të parë që prej vitit 2007, në vitin kur edhe ishte shpallur kampion i Evropës.
Skuadra e drejtuar nga Stefano Pioli e eliminoi sonte Napolin në çerekfinale të kësaj gare.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Diego Armando Maradona” përfundoi me rezultatin 1:1.
Por, kampioni në fuqi i Italisë kalon tutje me rezultatin e përgjithshëm 1:2, falë fitores minimale që kishte arritur në “San Siro”.
Për “Rossonerët” goli u shënuar nga Olivier Giroud (43’). Sulmuesi francez kishte rast të mirë shënimi edhe në minutën e 22-të, por nuk ia doli të shënonte nga penalltia. Goditja e tij u prit nga Alex Meret.
Një penallti e humbën edhe napolitanët në pjesën e dytë, saktësisht në minutën e 81-të. Goditja e Khvicha Kvaratskhelia u prit nga Mike Maigna.
Vendasit ia dolën të barazonin rezultatin në fundin e ndeshjes përmes Victor Osimhen (90+3’), por që nuk ishte i mjaftueshëm.
Milani në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve do të takohet me fituesin nga përballja mes Interit dhe Benficas.
Ndeshja e parë çerekfinale mes këtyre dy skuadrave u fitua nga “Nerazzurrët” me rezultatin 2:0. Ndeshja e dytë do të zhvillohet nesër mbrëma.