Tabletat e paracetamolit apo të ibuprofenit janë ilaç të cilin shpesh e marrim kundër dhimbjes së kokës, etheve të lehta, problemeve të ndryshme… megjithatë është koha t’i kushtoni kujdes dozës dhe shpeshtësisë së marrjes! Kjo është arsyeja!Femrat, të cilat dy herë në javë marrin paracetamol apo ibuprofen, rrezikojnë humbje të përhershme të dëgjimit, tregoi një studim nga “Brigham and Women’s” në ShBA. Mjekët besojnë se kjo dukuri ka shumë të ngjarë të shkaktohet nga zvogëlimi i rrjedhjes së gjakut në veshin e brendshëm dhe dëmtimi i tij për shkak të ekspozimit ndaj zhurmës.
Deri në një në 20 gra mund të fajësojnë këta qetësues të dhimbjeve për humbjen e dëgjimit, shkruan Daily Mail, përcjell Telegrafi.
Rezultatet e studimit përkojnë me një studim tjetër, të ngjashëm në të cilin morën pjesë burrat.
Pothuajse një ndër 12 femra në SHBA merr paracetamol së paku dy herë në javë, gjë që në periudhën prej 6 vjetësh shton rrezikun nga humbja e dëgjimit për 9 për qind.
Studimi, i botuar në Journal of Epidemiology, përfshiu 55,850 gra mes moshave 44 dhe 49 vjeç. Sipas rezultateve të këtij studimi, paracetamoli dhe ilaçe të ngjashme mund të zvogëlojnë rrjedhjen e gjakut në veshin e brendshëm.
Sidoqoftë, dozat e rregullta të ibuprofenit – kanë treguar hulumtimet – mund të zvogëlojë rrezikun e kancerit të mushkërive tek duhanpirësit. Studiuesit nga Universiteti Shtetëror i Ohios kanë treguar se doza të vogla të ibuprofenit, të marra rregullisht, mund të vrasin proceset inflamatore që mund të çojnë në tumore të mushkërive.