Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar sot se Serbia vazhdon të mbetet kërcërnimi më serioz dhe kryesor n
daj sigurisë së Kosovës. Ajo ka shtuar se ky shtet fqinj po vepron kundër integrimit të vendit në institucione ndërkombëtare. Sipas saj, Serbia përmes metodave të luftës hibride po synon ngritjen e tensioneve në veri të vendit. Kështu ka deklaruar ajo në tryezën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me temën “15 vite të mbikëqyrjes të sektorit publik të sigurisë”.
Presidentja e vendit ka deklaruar se Serbia vazhdon të paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e gjithë rajonit duke shtuar edhe kapacitetet ushtarake.
“Serbia, si satelit i Rusisë në Ballkanin Perëndimor vazhdon të mbetet kërcënimi më serioz dhe kryesor ndaj sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës. Republika e Serbisë vazhdon të përdor në mënyrë të sinkronizuar të gjitha elementet e saj, përmes metodave hibride kundër Republikës së Kosovës. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ajo vepron kundër shtetësisë dhe integrimit të Republikës së Kosovës në institucione ndërkombëtare. Kurse, për brenda territorit të Republikës së Kosovës, ajo instrumentalizon strukturat kriminale në veri, duke i paguar dhe shtytur ato për të kryer krime dhe njëkohësisht pengon integrimin e plotë të qytetarëve serbë në Republikën e Kosovës përmes presionit, frikës, shantazhit si dhe nëpërmjet dhunës”, ka deklaruar Osmani.
Sipas saj, prania e NATO-s është faktori kyç në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë rajonale.
“Metodat e luftës hibride të modelit rus, po zbatohen vazhdimisht nga Serbia, me qëllim të ngritjes së tensioneve në veri të vendit. Tendenca të ngjashme të destabilizimit janë shfaqur tashmë edhe në vendet tjera të rajonit tonë, përfshirë Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Por fatmirësisht deri më tani, përkundër këtyre tendencave, vendet tona kanë treguar qëndrueshmëri falë orientimit të qartë euroatlantik dhe partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e BE-së, me vendet tjera të NATO-s”, është shprehur Osmani.
Në tryezën e organizuar nga QKSS, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se mjedisi i sigurisë në vend varet nga ai global.
“Mjedisi i sigurisë në vendin tonë pashmangshëm ndikohet edhe nga mjedisi global i sigurisë në përgjithësi dhe ai rajonal në veçanti. Paqja reale dhe e qëndrueshme kërkon partner të përkushtuar dhe qëllime të përbashkëta. Kosova është dhe do të mbetet partnere e të gjithë atyre që i ofrojnë shoqërisë zgjidhje që i garantojnë paqen dhe sigurinë në vendin tonë, në rajon dhe në mbarë botën. Sot, jemi dëshmitarë që mjedisi global dhe rajonal vazhdon të mbetet i pasigurt dhe jashtëzakonisht kompleks. Jemi dëshmitarë të çdoditshëm të aspiratave për pushtime territoriale nga ana e vendeve hegjemoniste. Agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka rritur rrezikun që edhe vendet tjera me aspiratat e njëjta si Rusia, të ndërmarrin veprime territoriale ndaj vendeve të pavarura e sovrane”, ka deklaruar Osmani.
Lufta e padrejtë e Rusisë, siç ka potencuar Osmani, duhet të shërbejë si ilustrim se vakumi gjithmonë keqpërdoret nga shtetet që kanë qëllime malinje. Ndërtimi, zhvillimi dhe forcimi i institucioneve të sigurisë, ajo ka thënë se kanë ndikuar që Kosova të shndërrohet në promovues të sigurisë.
Derisa ka folur për ngritjen e kapaciteteve, presidentja Osmani ka përmendur edhe stërvitjen më të madhe të NATO-së, “Defender Europe”, që do të organizohet në muajin e ardhshëm.
“Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në statusin e vendit pritës në mesin e 25 vendeve në stërvitjen e përbashkët shumëkombëshe të drejtuar nga komanda evropiane e ShBA-së “Defender 23”, në muajin e ardhshëm do të rikonfirmojë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë edhe të 1400 trupave të FSK-së përkrahë 7800 trupave ushtarake amerikane dhe 14 mijë trupave shumëkombëshe të vendeve aleate dhe partnere nga ShBA-të dhe shtetet tjera anëtare të NATO-s. Ky sukses historik konfirmon më së miri edhe besimin e fuqishëm që ka arritur të ketë partneri strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës dhe në ushtrinë tonë”, ka deklaruar Osmani.
Ajo është shprehur se si komandante supreme së bashku me institucionet tjera të sigurisë kanë miratuar strategjinë e sigurisë.
Në konferencën e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Osmani ka shtuar se të njëjtit kanë dhënë kontribut në reformën në siguri, me hulumtime profesionale dhe forcimit e parimit të qeverisjes së mirë.