Gjyqi ndaj ish krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuar tashmë ndodhet në fazën më të nxehtë. Dëshmitarët kanë filluar të dalin para kësaj Gjykate. Por, fillimi i gjyqit në Hagë, nuk është pritur pa reagime në Prishtinë. Kjo sidomos pas fjalës hyrëse të Prokurorisë, ku edhe njëherë tekstualisht e vizualisht u dëshmua se akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nuk kanë asnjë lidhje me trafikimin e organeve siç ishte raportuar nga deputeti zviceran Dick Marty.
E një deklaratë tjetër e cila lidhet me akuzat e Martyt, siç duket është fshirë nga faqja zyrtare e Gjykatës Speciale.
Deklarata e ish Shefit të Hetimeve, Clint Williamson, nga ku pretendohej se ka bazë të mjaftueshme për hetim e nisje të procedurave kundër ish-krerëve të UÇK-së, për akuzat që kishin të bënin me trafikim të organeve, referuar raportit të Dick Martyt nuk figuron në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.
Ishte një tweet i zyrtarit të PDK-së Kushtrim Shkodra i cili e quajti mashtrim, madje të një niveli krejt tjetër, pasi vërejti se nuk mund të ketë qasje në këtë deklaratë.
“Wow mashtrimi i Speciales, tani në një nivel krejt tjetër që pastron referencat e rreme të marrjes së organeve të Marty Report. Deklaratat SIFT të Clint Williamson nuk janë më në faqen e internetit të gjykatës speciale. Formimi i KSC & SPO u shit si një hetim i trafikimit të organeve”- ka shkruar Shkodra.
Nëse klikoni në këtë link, ku gjendej deklarata e Williamson, tashmë faqja zyrtare e Dhomave të Specializuara tregon se “faqja nuk është gjetur”.
Çka thoshte deklarata e Williamsonit?
Në këtë deklaratë, tregohen “gjetjet” e Task Forcës, ku thuhet se janë në përputhje me raportin e Këshillit të Evropës, të vitit 2011 nga senatori Dick Marty.
“Kryeprokurori i Task Forcës Speciale Hetuese të Bashkimit Evropian (SITF), ambasadori Clint Williamson, bëri një deklaratë më 29 korrik 2014 në Bruksel për të njoftuar gjetjet hetimore të SITF. Ambasadori Williamson tha se hetimi i kryer nga SITF kishte përparuar deri në pikën ku ai ishte i përgatitur të shpallte gjetjet dhe se këto ishin kryesisht në përputhje me raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011 nga senatori Dick Marty.”- thuhet aty.
Tutje në këtë deklaratë, thuhej se SIFT ka gjetur prova bindëse se individë që ishin në udhëheqje të UÇK-së, kanë përdorur elemente të kësaj organizate për të ushtruar dhunë.
“Kryeprokurori Williamson nënvizoi se viktimat e këtyre krimeve ishin kryesisht serbët, romët dhe minoritetet e tjera, por edhe shqiptarët e Kosovës të cilët u etiketuan ose si bashkëpunëtorë me serbët ose, më shpesh, si kundërshtarë politikë të udhëheqjes së UÇK-së. SITF ka gjetur prova bindëse se individë të caktuar në udhëheqjen e lartë të ish-UÇK-së kanë përdorur elementë të asaj organizate për të ushtruar dhunë në mënyrë që të fitojnë pushtet politik dhe pasuri personale për veten e tyre. Kryeprokurori nënvizoi se janë si individë që duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet e tyre.
Kryeprokurori Williamson deklaroi se SITF mund të ngrejë një aktakuzë kundër këtyre individëve pasi të krijohet një mekanizëm i duhur gjyqësor për të organizuar një gjyq plotësisht të pavarur, të paanshëm dhe transparent që garanton standardet më të larta të sigurisë për dëshmitarët dhe për procedimet penale. Në këtë drejtim, Kryeprokurori Williamson falënderoi Bashkimin Evropian, shtetet anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë për përpjekjet e vazhdueshme në ngritjen e një gjykate të tillë.” – thuhej aty.
Pse u krijua kjo Task Forcë?
Në po të njëjtin dokument ku flitet për arsyet e formimit të kësaj Task Force, përdoret fraza “trafikim i paligjshëm i organeve njerëzore” referuar raportit të Martyt.
“Task Forca Speciale Hetimore (SITF) u krijua në vitin 2011 për të kryer një hetim penal të pavarur mbi akuzat shumë të rënda të përfshira në raportin e Këshillit të Evropës (KE) të janarit 2011 nga senatori Dick Marty me titull: “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”. Mandati i SITF-së përfshinte të hetojë dhe, nëse kërkohet, të ndjekë penalisht individët për krimet e supozuara në raport.
SITF përbëhet vetëm nga staf ndërkombëtar dhe, për të përforcuar më tej pavarësinë dhe konfidencialitetin e procesit, ekipi është i vendosur në Bruksel, Belgjikë.” – shkruante tutje në këtë deklaratë.