Një kriminel serb i dyshuar i luftës i cili kaloi 16 vjet në arrati, është dëbuar nga Irlanda pasi u zbulua nga policia në shkurt. Kroacia ka qenë në kërkim të Vojislav Buzakoviqit – që pretendohet se ishte ish-anëtar i milicisë pro-serbe – që nga viti 2007.
Zyrtarët e kanë akuzuar atë për abuzim me civilët gjatë luftës në ish-Jugosllavi gjatë një periudhe gjashtëmujore midis viteve 1991-1992.
Sipas Shërbimit Gjyqësor Irlandez, Buzakoviq pranoi dëbimin gjatë një seance dëgjimore në mars.
Një zëdhënës i policisë irlandeze i tha BBC-së se individi iu dorëzua autoriteteve kroate në Aeroportin e Dublinit.
Zëdhënësi shtoi se burri në të 50-at e tij u arrestua sipas urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Kroacia.
Në vitin 2007, Buzakoviqi u akuzua në mungesë nga prokurorët kroatë se ishte pjesë e një grupi paraushtarak të krahinës së vetëquajtur serbe në Kroaci.
Bashkë me katër burra të tjerë, autoritetet thanë se Buzakoviqi “ilegalisht kishte arrestuar, burgosur, hetuar, rrahur dhe abuzuar civilë” në atë që mediat kroate e quajtën “qendër asgjësimi” në fshatin Petrovci.
Ai po ashtu është akuzuar specifikisht për “pjesëmarrje në abuzimin fizik” të katër personave gjatë okupimit serb të fshatit.
Pavarësisht akuzave, Buzakoviqi qëndroi në liri për 15 vjet para se autoritetet kroate të lëshonin urdhër-arrest ndërkombëtar në korrik 2021 duke cituar një akuzë të vetme për “krime lufte”.
Mediat irlandeze kanë raportuar se ai besohet të ketë qëndruar në Irlandë për shumë vjet dhe se kishte marrë nënshtetësi para arrestimit.