Tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla do të dalin sot para gjyqit, kurse seanca dëgjimore ndaj të dyshuarve do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me fillim nga ora 10:00, përcjell Gazeta Papirus.
Syla mbrëmjen e 11 prillit ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas lëndimeve në kokë që pësoi. Ai thuhet se u sulmua nga tre persona. Sulmi raportohet se ka ndodhur pasi Syla ka dalë nga studio televizive dhe dyshohet se është përcjellë nga të dyshuarit deri në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh, tha se sulmi është raportuar se ka ndodhur pas orës 22:00 në rrugën Ilir Durmishi në Prishtinë.
Prokuroria Speciale ka kërkuar nga gjykata vendosjen e masës së sigurisë, një muaj paraburgim ndaj tre të dyshuarve: Lum Dervishi, Kenan Hasani, Okan Hasani.
Ndërkaq, Juristja e medias, Flutura Kusari është shprehur se është me rëndësi të veçantë të monitorohet ky rast nga mediat dhe shoqëria civile.
Postimi i plotë i saj:
“Sot ne orën 10.00 dalin para gjykatës, ne procedure paraprake, tre te dyshuarit për sulmin kundër gazetarit Valon Syla. Eshte tejet e rendesishme qe te monitorohet ky rast.
Shihemi pas pak aty.”/Gazeta Papirus/