Policia e Kosovës një ditë më parë njoftoi se nga datat 13 prill deri më 15 prill 2023, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë kryeministri i Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazoviq, së bashku me një delegacion shoqërues, përcjell Gazeta Papirus.
Në njoftim bëhet e ditur se Policia e Kosovës gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në vendin tonë, duke riorientuar trafikun në rrugë alternative.
Gjithashtu, Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim nga ana e qytetarëve për këtë vizitë të kryeministrit malazez dhe ndryshimeve që mund të ndodhin në komunikacion.
Njoftimi i plotë nga Policia e Kosovës:
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen vizitat e që ndërlidhën me rrugë që shpien në drejtim të institucioneve shtetërore.
Gjithashtu, ju njoftojmë se në disa segmente rrugore do të ketë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve, do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”./Gazeta Papirus/