Donika Gërvalla, përveç bashkëkryetare e Guxo-s, është edhe ministre e Punëve të Jashtme. Në këtë cilësi, javë më parë ajo habiti opinionin Kosovar kur për një medie portugeze deklaroi se nuk ka ende marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse shefi i saj, Albin Kurti, fliste për marrëveshje. Por gjërat kanë ndryshuar…dhe atë shumë shpejt.
Tash Gërvalla flet pak më ndryshe, duke lënë një përshtypje që i ka ndryshuar pak mendimet rreth ekzistimit të marrëveshjes së Ohrit, për të cilën u dakordua kryeministri Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Në një prononcim për KosovaPress, shefja e Ministrisë së Punëve të Jashtme u tregua më e kujdesshme, duke deklaruar se janë në të njëjtin linjë me Kurtin sa i përket marrëveshjes së Ohrit. Duket se gazetari/ja e zuri në befasi me pyetje në derë pranjë një institucioni, Gërvalla vlerësoi se ka takime të rregullta me Kurtin.
“Të gjithë hapat që i bëjmë edhe në raport me (marrëveshjen) e Brukselit e atë të Ohrit dhe në raport me të gjitha vendimet që marrim nuk është sekret që ne kemi një takim të rregullt të udhëheqësve të institucioneve më të larta të shtetit.” – vlerësoi ajo dje.
Tutje, kryediplomatja Gërvalla shtoi se është pjesë e të gjitha proceseve, duke i quajtur si “naive” përpjekjet për të paraqitur ndarje në mendime mes saj e Kurtit.
“Jam pjesë e të gjitha proceseve. Përpjekjet janë shumë naive për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme. Qëndrimet janë të Republikës së Kosovës, nuk janë individuale, as të kryeministrit, as të kryetarit të Kuvendit dhe as të ministers.” – deklaroi Gërvalla.
Por bashkëkryetarja e Guxo-s mendonte pak më ndryshe javë më parë. Gjatë një vizite në Portugali, Gërvalla e kishte thyer heshtjen disa ditore rreth dakordimit mes Kurtit e Vuçiqit në Ohër. Nga gadishulli Iberik, zonja Gërvalla kishte ardhur me një interpretim ndryshe nga ai i Kurtit, duke theksuar se nuk ka marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës
Në intervistën që titullohej “Në Kosovës, duam që Serbia të jetë serioze për normalizimin e marrëdhënieve tona”, Gërvalla ishte pyetur rreth marrëveshjes, duke thënë se nuk ka një të tillë.
“E vërteta është se ne ende nuk kemi marrëveshje me Serbinë. Nga ana jonë, ne ishim dy herë, një herë në 27 shkurt dhe më pas fundjavën e kaluar, gati për një marrëveshje, me garancitë që partnerët dhe aleatët tanë – Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara – na dhanë për zbatimin e asaj marrëveshjeje, por çuditërisht, serbia nuk ishte gati për këtë. Ata thjesht vazhdojnë lojën e vjetër të transmetimit të mesazheve dhe kohëve të ndryshme dhe më pas, kur afrohet nënshkrimi, refuzojnë. Është për të ardhur keq që BE-ja po e mundëson këtë situatë dhe nuk po i zgjidh sfidat e dialogut që po ndërmjetëson.” – tha zonja Gërvalla.
Në intervistën e gjatë për Diario de Noticias, Gërvalla ka folur rreth negociatave “të vështira” me Serbinë, statusin e pakicave, dëshirën për anëtarësim në BE e NATO e pengesat në rrugën drejt OKB-së.
“Ne kemi nevojë që Serbia të jetë serioze për normalizimin e marrëdhënieve tona. Normalizim do të thotë sjellje normale, respektim i fqinjit dhe mos kërcënim ndaj fqinjit me luftë dhe pasoja të tjera. Prandaj është kaq e vështirë me Serbinë, ata ulen në tryezën e bisedimeve dhe premtojnë dhe pastaj vjen një Serbi krejtësisht tjetër kur bëhet fjalë për zbatimin e premtimeve. Kësaj radhe Serbia as që nënshkroi, kështu që nuk jam optimist për të pritur ndryshime në javët apo muajt e ardhshëm.” – theksoi zonja Gërvalla.