Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka njoftuar sot se ka pezulluar nga detyra e tij zyrtare, delegatin e futbollit, Arben Zeqiri.
Sipas vendimit të Komisionit Disiplinor, Zeqiri ka kërkuar nga gjyqtarët që të ndihmohet skuadra e Dritës në grupmoshën e kadetëve.
“Delegati Arben Zeqiri në ndeshjen e xhiros së 21-të të Superligës së kadetëve, Drita – Ulpiana, sipas gjyqtarit të ndeshjes, ka kërkuar nga treshja e gjyqtarëve që të ndihmohet skuadra e Dritës, pasi i duhen pikët. Ai gjatë tërë takimit dhe në meslojë ka bërë presion ndaj gjyqtarëve së bashku me trajnerin vendas”, thuhet në vendimin për hapje të procedurës ndaj Arben Zeqirit.
Për më tepër ky delegat pas përfundimit të ndeshjes i është drejtuar gjyqtarit kryesor me fjalët: “bërllog e bane, a të thash të kesh kujdes se Dritës i nevojiten pikët”.
Komisioni Disiplinor ka kërkuar deklaratë shtesë nga Zeqiri dhe tre gjyqtarët, emrat e të cilëve nuk janë paraqitur në vendim.
Zeqiri është pezulluar deri në kompletim të lëndës.
Ka kohë që ka dyshime për manipulime të ndeshjeve edhe në kategoritë e reja. Por për një presion të tillë të delegatit raportohet ndoshta për herë të parë. Delegati pos për mbarëvajtjen e ndeshjes është i thirrur edhe për të mbrojtur interesat e FFK-së, përkatësisht të futbollit kosovar.