Misioni i EULEX-it në Kosovë është duke shqyrtuar rritjen e pranisë më të madhe të patrullave në zonën e Urës së Bistricës në Veri.
EULEX këtë deklaratë e kanë dhënë për portalin në gjuhën serbe kosovo-online.
Siç raporton ky medium, kjo do të bëhet për shkak të incidentit në Veri ku mbeti i plagosur një qytetar serb.
“Ata kryejnë patrulla të lëvizshme të zbulimit 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, duke punuar me turne. Përveç kësaj, njësia policore e EULEX-it dhe një njësi policore e përbërë nga forcat rezervë janë formuar për të patrulluar në këmbë në veri të Mitrovicës, Zveçan. Leposaviq dhe Zubin Potok”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
Kujtojmë se hënën në mbrëmje një person i komunitetit serb është plagosur me armë zjarri në veri të Mitrovicës, ndërsa rasti ngjalli reagime të shumta. Katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë arrestuar për këtë rast.
Ngjarja në veri të Kosovës, ngjall reagimin e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë dhe atij të BE-së.
Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier, ka shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për këtë incident dhe ka bërë thirrje për një hetim të plotë dhe të besueshëm të ngjarjes.
ShBA-të janë të shqetësuara për një incident në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan/Zveqan. Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”, shkroi Hovenier.
Në reagimin e tij, ai gjithashtu ka theksuar se të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e zbatimit të ligjit dhe sektorit të drejtësisë.
“Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e zbatimit të ligjit dhe sektorit të drejtësisë. Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, vijoi ambasadori amerikan.
Ndërkaq nga zyra e BE-së kanë thënë se të gjitha institucionet përkatëse të sundimit të ligjit duhet të kryejnë një hetim të shpejt dhe të plotë.
“BE në Kosovë dënon incidentin e sigurisë, ku një serb i Kosovës është qëlluar dhe plagosur mbrëmë afër pikëkaklimit kufitar të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit. Të gjitha institucionet përkatëse të sundimit të ligjit tani duhet të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.” – thuhet në reagim.