Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e ka quajtur si të papranueshme sjelljen e mazhorancës për anulimin e seancës së Kuvendit.
Sipas tij, “shumë institucione të pavarura dhe agjenci qeveritare kanë mbetur pa drejtues për shkak të insistimit të Kryeministrit për të futur duart gjithkund”.
Sipas Hotit, aty ku nuk po ka mundësi po tenton ndërrimin e ligjeve.
Reagimi i plotë i Hotit:
Sot u anulua seanca e Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit. Kjo sjellje e mazhorancës është joserioze. Ka pika në rendin e ditës që presin për muaj me radhë, përfshirë zgjedhjen e udhëheqësve dhe bordeve të institucioneve të pavarura.
Shumë institucione të pavarura dhe agjenci qeveritare kanë mbetur pa drejtues për shkak të insistimit të Kryeministrit për të futur duart gjithkund në shërbimin publik.
Aty ku nuk po ka mundësi, po tenton t’i ndërroj ligjet, siç e provoi me Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil. Në të dy rastet, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ka pasur shkelje kushtetuese.
Njëjtë do të ndodhë edhe me disa ligje të tjera që janë në Gjykatën Kushtetuese, përfshirë Ligjin për zyrtarët publik dhe Ligjin për kufizimin e çmimeve.