Kryeministri Albin Kurti e ka hapur mbledhjen e sotme të Qeverisë me disa fjalë për sulmin e rëndë që iu bë mbrëmë gazetarit Valon Syla.
Kurti tha se sulmi ndaj gazetarit është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.
“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha, ndër të tjerash, Kurti.
Gazetari Valon Syla rreth mesnatës u sulmua nga disa persona në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Ai pësoi lëndime në kokë dhe pas trajtimit mjekësor, nga QKUK-ja tha se sulmuesit ishin “tre islamikë fanatikë”.
Syla paraprakisht ishte në emisionin Pressing në T7, ku është analist. Temë diskutimi ishte debati që ka shkaktuar nisja e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale Hagë.
Gazeta Express mësoi se sulmuesit e ndoqën gazetarin Valon Syla nga objekti i T7 deri te lagjja Bregu i Diellit në Prishtinë, ku më pas e sulmuan.
Sulmin e dënoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, por edhe organizata më e madhe e gazetarëve në Evropë.