Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se pas informatave të para për plagosjen e një qytetari në rrugën nacionale mes Leposaviqit dhe Zveçanit, Policia e Kosovës por edhe Inspektorati Policor i Kosovës kanë filluar hetimet intensive.
Ai tregoi se sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit.
Pra, Sveçla tregoi se pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari me inicialet M.J.
“Pas intervistimit nga ana e Inspektoriatit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast”, shkroi ai në Facebook.
“Të njejtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK. Me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave, hetimet do të vazhdojnë intenzivisht dhe gjithësecili që ka bërë shkelje do të ballafaqohet me ligjin”, shtoi ai.