Kryetari i sindikatës së minatorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi ka deklaruar se 40 minatorët e mbetur të bllokuar në minierën e Trepçës janë shpëtuar të gjithë.
Por, ai u ndal edhe te kushtet me të cilat punojnë këta minatorë, ku tha se kushtet janë shumë të këqija dhe se asnjëherë nuk ka pasur investime të duhura.
“Kushtet janë të rënda. Deri tani investimet asnjëherë nga shteti apo nga qeveritë nuk kanë qenë të duhura. Kohët e fundit qeveria e Kosovës, këtë vit ka garantuar një kredi prej rreth 20 milionë eurosh që na jepë shpresë se do përmirësohen kushtet dhe do bëhen investime kapitale të mjeteve të punës dhe do të rrisë edhe sigurinë e punëtorëve”, tha ai për Euronews Albania.
“Problemet më të mëdha janë kushtet elementare të punës, pajisja me mjete mbrojtëse, mjetet sanitare që janë të domosdoshme, se edhe mjetet e stërvjetëruara përbejnë një rrezikshmëri të lartë për minatorët. Edhe pagat janë të ulëta, se ata japin më shumë, djersën e tyre asnjëherë s’kemi për ta paguar por është e domosdoshme që të bëhet ngritja për shkak edhe të inflacionit të madh në vendin tonë”.