Dhjetë zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, si pasojë e kushteve jo të mira në Policinë e Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri. Sipas tij, njëra prej arsyeve janë paga e ulëta. Ai ka bërë të ditur se që nga themelimi këtë institucion e kanë lënë 2 000 pjesëtarë.
“Vetëm këtë vit kemi 10 zyrtarë policorë që kanë dhënë dorëheqje aq sa kam unë informacione, nuk mund të themi se të gjitha rastet janë për Ligj të pagave, por janë për të gjitha këto kushtet, ka mundësi të jetë edhe ndonjë individ për shkaqe familjare, mirëpo nëse ndalemi që nga themelimi i Policisë së Kosovës e deri më tani kemi mbi 2200 dorëheqje vullnetare, e që ju e dini që Policia e Kosovës është themeluar në shtator 1999”.
Ai përmendi disa arsye që ndikojnë në rritjen e dorëheqjeve vullnetare nga ky institucion, duke specifikuar mungesën e Ligjit të Pensionimit.
“Jemi polici pa Ligj të Pensionimit, e cila edhe kjo është një kërkesë që të kemi një ligj të pensionimit në moshën 55 vjeçare, arsyeja e parë është që mosha mesatare e policisë ka arritur në 47 vjet, mandej policët, zyrtarët policorë kur e përfundojnë karrierën janë pa pension, pse e them këtë, për shkak se ata e marrin një pension të pleqërisë, si çdo qytetarë tjetër që e arrin moshën 65 vjeçare edhe këta e marrin një pension të pleqërisë, kështu që vërtetë është diskriminuese dhe kjo është ajo kërkesë prioritare edhe për Sindikatën që ky ligj të dërgohet sa më parë në Kuvend për implementim, sepse ligji veç se është i hartuar dhe ka mundësi të bëhet vetëm me pak përmirësime të vogla dhe të ecë”.
Për shtesat për rrezikshmërinë në punë, ai tha se ministria dhe Qeveria janë arsyetuar që nuk kanë mundur ta bëjnë përllogaritjen në kohë të duhur.
“Kjo është njëfarë forme dhe ministria edhe Qeveria janë arsyetuar gjoja se nuk kanë mundur ta bëjnë atë përllogaritjen e tyre e që i njëjti skandal ndodhi edhe me pagat e muajit mars sepse as me pagën e muajit mars nuk janë ekzekutuar këto, domethënë arsye e tyre është se nuk kanë mundur ta bëjnë përllogaritjen ndërsa në Ligjin e Pagave aty ku ne si Sindikatë kemi pasur vërejtje se është kufizuar ajo shuma për shtesën për rrezikshmëri”.
Ai tha se kanë kontakt me Qeverinë, por vetëm përmes shkresave, përkundër që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është i njoftuar për kërkesat e PK-së.
“Neve si sindikatë jemi në pritje të premtimeve të Qeverisë, mirëpo neve do të veprojmë konform kërkesave të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, cilado që të jenë ato neve do të veprojmë sipas kërkesave të tyre. Neve kemi kontakt me Sindikatat e tjera, kemi kontakt edhe me Qeverinë përmes shkresave këtë vit neve nuk kemi realizuar asnjë kontakt me Qeverinë, përkundër kërkesave tona që së paku me Ministrinë e Punëve të Brendshme të realizojmë ndonjë takim dhe t’i shpalosim këto të gjithat, edhe pse për të gjitha këto që i thashë ministri i Punëve të Brendshme është i njoftuar”./eo