Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës, ia ka kujtuar pushtetit rastet kur Gjykata Kushtetuese ia ka konsideruar kundërkushtetuese ligjet e miratuara nga ajo.
Ka përmenduar ndër të tjerash Ligjin për Këshillin Prokurorial e kufizimin e lëvizjes gjatë pandemisë.
“Për fat të keq, sot në Qeveri kemi një kryeministër dhe shumë ministra që disa herë kanë ndërmarrë veprime anti-kushtetuese, nga përpjekja për ta vënë nën kontroll dhe për ta cenuar integritetin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ndërhyrja e MASHTI-t në kompetencat e nivelit lokal, si dhe cënimi i lirisë së lëvizjes së qytetarëve gjatë pandemisë, e një varg shkeljesh tjera që janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Krasniqi.
Megjithatë Krasniqi thotë se PDK është e përkushtuar ta mbrojë aktin më të lartë juridik të vendit.
“Megjithatë, PDK mbetet e përkushtuar ta mbrojë dhe ruaj këtë akt thelbësor të shtetësisë së Republikës sonë, duke denoncuar çdo veprim që bie ndesh me dispozitat themelore dhe rendin tonë kushtetues”, ka shkruar Krasniqi.