Mungesa e ligjeve për bizneset dhe ndryshimet e plotësimet e vazhdueshëm të tyre po paraqesin problem për prodhuesit por edhe për bizneset shërbyese.
Madje edhe harmonizimi i ligjeve po del të jetë problematike. Por ekspertët vlerësojnë se Gjykata Komerciale do të jetë ndihmës në këtë drejtim.
Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex”, tha se si prodhues po përballen me problemin me Ligjin mbi shfrytëzimin e ujërave, pasi sipas tij, në të shumtën e rasteve është jo shumë i arsyeshëm dhe i kuptueshëm për ta.
“Sigurisht që çdo ndryshim i ligjeve kërkon implementim, por ndoshta problemet më të mëdha dhe pengesat më të mëdha janë mungesa e disa ligjeve apo mos sqarime ne detaje. Një prej problemeve me të cilët jemi ballafaquar për vite të tëra është ligji mbi shfrytëzimin e ujërave i cili ka qenë në të shumtën e rasteve jo shumë i arsyeshëm dhe i kuptueshëm për ne”.
“Jo vetëm për ne si ndërmarrës, por i njëjtë ka qenë problem edhe nga ana e institucioneve të cilat kanë ardhur me kërkesa të ndryshme dhe kanë shkaktuar edhe probleme të vazhdueshme madje në opinion është folur gjoja se në si prodhues nuk kemi dashtë që t’i përgjigjemi pagesave të cilat kanë qenë të kërkuara nga ana e Ministrisë së Ambientit”.
Palushi pati ankesa edhe për Ligjin për investime strategjike, ku sipas tij ligji është shumë i komplikuar.
Për këtë arsye ai tha se shumë investitorë, që kanë aplikuar për ta marr statusin e investitorit strategjikë, për shkak të problemeve, numër i vogël ka arritur ta sigurojnë këtë status.
“Ajo çka besoj është mungesa e ligjeve kur flasim për mungesën tekë investimet strategjike. Pavarësisht ekzistimit të ligjit për investime strategjike, një ligj i tillë është bukur shumë i komplikuar. Vetë kam pasur rast si kompani të aplikojë si investitorë strategjikë, pavarësisht që një kërkesë e tillë është refuzuar, mendoj se është shumë e komplikuar dhe kërkon miratime të shumë institucioneve dhe kjo gati e bënë të pamundur një implementim të tillë”.
“Unë di që shumë investitorë qoftë vendor edhe të huaj kanë aplikuar për ta marr statusin e investitorit strategjikë dhe një numër shumë i vogël i tyre kanë arritur ta sigurojnë këtë status dhe mendoj që do të duhej që të ketë shumë më fleksibil dhe shumë më lehtë i aplikueshëm një ligj i tillë”, tha ai.
Përderisa kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, tha se ndryshimet e shpeshta të ligjeve që i atakojnë direkt bizneset, po u krijojnë vështërsi.
Ai pati ankesa për Ligjin për turizmin, pasi sipas tij, nuk ka pasur mbikëqyrje të zbatimit të tij.
“Është normale që çdo ligji i cili në një farë forme nuk implementohet me gjithë ato udhëzimet administrative është shumë normale që ka problem për bizneset. Varësisht se si është hartuar ligji dhe varësisht se si janë hartuar këto udhëzime administrative, sa janë fokusuar do të thotë ne zhvillimin të këtyre bizneseve, atëherë nëse këto veç kanë munguar diçka në këtë drejtim normale që pastaj pasojat po i kanë bizneset në të ardhmen. Shembull kemi ligjin e turizmit që e kemi pasur para këtij të fundit, mbikëqyrja nuk qenë fare prezentë, nuk qenë as në ligj nuk kanë mundur as me funksionuar as inspektoratet, as diçka edhe ata që kanë shkuar kanë shkuar në kryer ne veti pa ndonjë farë dokumenti zyrtarë për me shikuar një subjekt hotelier ose turistik”, tha ai.
Ai tha se çdo ligj duhet që të jetë i harmonizuar me ligjet e tjera, pas sipas tij, nëse ato nuk janë të harmonizuara paraqiten probleme për bizneset.
“Këto ligjet duhet të harmonizohen mesë veti, ligji i turizmit duhet që të lidhet me ligjin e punës, me ligjet tjera që lidhen me punëtorët, të lidhen me pronarët, të lidhen me bizneset, me të gjitha format që i takojnë këtij biznesi. Nëse këto nuk janë të harmonizuara me ligjet që janë si indikatorë për me qenë në zhvillim e sipër ky atëherë normal që ka probleme. Problemi përpara do të thotë më të theksuar kanë qenë tekë kategorizimi i hoteleve”.
“Kur kemi sistemin e yjeve, shumë hotele sot me i parë në Kosovë kanë pesë yje. Nuk janë ato hotele me pesë yje, pesë yje janë ato hotele në të cilën vetëm kategorizohen nga Komisioni shtetëror. Këto tjerat janë në mënyrë vetanake. Edhe pse bizneset nuk kanë detyrim me u kategorizuar hotelet. Inspektorati duhet që të merret, arsyeja është mungesa e inspektorëve e sipas informatave që i kemi tash është shpallur një konkurs në Ministrinë e Tregtisë ku sipas informatave do të punësohen 30 inspektor”, tha ai.
“Ne si Odë e kemi avokatin tonë i cili në një farë forme i mbron të gjitha bizneset hoteliere dhe turistike. Gjithsesi kemi pasur ankesa nëpërmjet avokatit jemi munduar që ankesa të ndryshme të subjekteve të shpejtojmë lëndën. Zakonisht vonohen si çdo lëndë që në Kosovë vonohet por mendoj që kohën e fundit ka filluar pak a shumë që të rregullohet kjo punë”, tha ai.
Përderisa avokati Burim Azemi, tha se me krijimin e Gjykatës Komerciale e cila merret vetëm me problemet e bizneseve, do ta lehtësoj më shumë procedurën për të zgjidhur kontestet.
Sipas tij, në gjykata ishin grumbulluar numër i madh i lëndëve të cilat duhet që të zgjidhen, raporton EO.
“Çështja e bizneseve tash është po gjykohet me krijimin e Gjykatës Komerciale, e cila është me seli në Prishtinë dhe gjitha çështjet që bien në kuadër të kompetencave të kësaj gjykate të trajtohen nga Gjykata Komerciale, nga e gjithë Kosova është selia e vetme në Prishtinë. Kjo gjykatë funksionon në dy shkallë, dhomat e shkallës së parë dhe dhomës së dytë e cila shërben si Gjykatë e Apelit”.
“Çështja e rasteve që është paraqitet tekë kjo gjykatë rrjedh nga rastet që kanë qenë duke u zhvilluar më herët në departamentet përkatëse. Me krijimin e kësaj gjykate lëndët që kanë qenë në zhvillim për shembull tekë departamenti për çështje ekonomike pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë kaluar në Gjykatën Komerciale. Ku për momentin për mendimin tim është bërë një grumbull i lëndëve, i cili duhet patjetër që të zgjidhte dhe çështjet të zhvillohen me proceset siç është premtuar ose siç është paraparë plani i Gjykatës Komerciale që të zhvillohen me urgjencë ose me hapa të përshpejtuar drejtë zgjidhjes sa më të shpejt dhe të drejtë”, tha ai.