Policia e Kosovës ka lëshuar urdhër për të ndaluar garat ilegale të Serbisë në territorin e Kosovës.
Vendimi vlen për ndalimin e të gjitha aktiviteteve sportive të të gjitha klubeve sportive që nuk janë të regjistruara ose të licencuara në Federatat respektive në Republikën e Kosovës.
Për vendimin është njoftuar edhe e ashtuquajtura “Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë”, që funksionon në kuadër të Federatës së Futbollit të Serbisë.
Lajmi është bërë i ditur nga mediumi “Kosovo-Online“, që ka publikuar edhe vendimin, ku mes tjerash thuhet” “Me urdhër të drejtorit gjeneral të Policisë së Kosovës, kolonelit Gazmend Hoxha, kërkohet që: TË NDALOHEN të gjitha aktivitetet sportive të klubeve që NUK janë të regjistruara/licencuara në federatat në Republikën e Kosovës, ku aktivitetet e tyre janë në kundërshti me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Kërkohet nga drejtoritë regjionale që përmes personelit të tyre të angazhohen në terren dhe të marrin të gjitha masat ligjore dhe policore për të ndaluar zhvillimin e ngjarjeve që janë në kundërshtim me ligjin”.