Gjykata Supreme dje liroi nga akuza Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në nëntor të vitit 2015 në Bjeshkët e Deçanit.
Vëllau i Donjetës, Shkëlqim Pajazitaj, thotë se vendimin planifikojnë ta dërgojnë në Kushtetuese, ndonëse nuk kanë shpresa për këtë.
“Edhe pse s’besoj se do të na aprovojnë, do ta provojmë edhe atë mundësi. Mundësia jonë e fundit është! Edhe pse shpresa është shumë e vogël, njëjtë si besimi në Gjykatë, prapë se prapë do të provojmë” ka thënë ai për Indeksonline.
“Por, që vjen një vendim i tillë as që na ka shku mendja. Nuk e di pse Supremja, kur e ka pasë herën e parë këtë rast, përse nuk e ka kthy në fillim, por e ktheu në rigjykim. S mund ta sheh të arsyeshme kur dy a tri herë po dënohet me burgim të përjetshëm, një herë me dënim 35 vjet e në fund po vjen me lirim. Nuk besoj që ka gjyq në botë një gjë të tillë, veç në Kosovë mundët me ndodhë kjo” shtoi ai.
Pajazitaj thotë se për vendimin e Gjykatës Supreme kanë marrë vesh përmes mediave, teksa gjendja emocionale e tyre është e rënduar.
“Dje jemi kanë shumë të tronditur, si të ishim në mjegull. Nuk kemi ditë as qysh e kemi kalu edhe ditën. Unë e kam kuptu përmes mediave se as prej Gjykatës s’jemi kanë të njoftum. Nuk e kemi ditë as kur është marrë vendimi e as kur është mbajtë seanca, veç kur jemi njoftu përmes rrjeteve sociale.”
Shkëlqim Pajazitaj deklaron se familja e tij është e bindur që Naser Pajazitaj është fajtor për vdekjen e Donjetës.
“Për këtë ne jemi të bindur. Si emrin tonë që e dijmë qysh e kemi, ashtu edhe që ai është i fajshëm. Ka fakte! Janë kamerat, dëshmitë e dëshmitarëve. Dëshmia kryesore është vajza e tij, që kur ai [Naseri] ka deklaruar “Jam kanë me çikën teme”, ajo ka kundërshtu. Është fjalos me të, është përla me të në prezencë të Policisë dhe Prokurorisë” përfundoi Pajazitaj.
Më 23 qershor 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj, në rigjykim e pati dënuar me dënim të përjetshëm Naser Pajazitajn.
Kundër këtij aktgjykimi, në Gjykatën e Apelit kishin parashtruar ankesë mbrojtësit e Pajazitajt, me pretendimin se ka shkelje esenciale, vërtetim i gabuar i gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin.
Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në Bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.